Site icon Telegrafi

I dëmtuari tregon se Arsiq i tha ‘kape 25-vjeçarin e vrarë dhe tregoju terroristëve tjerë çka ka për t’iu ndodhur’

I dëmtuari A. K. ka thënë se pasi ishte ndaluar nga Dushko Arsiq dhe ushtarët e tjerë serbë, ka dëgjuar të shtëna e kallashnikovit e pastaj e ka parë të rrëzuar në tokë 25-vjeçariu, B.Sh,

Këtë deklaratë, A.K., e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj Arsiq, i cili ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.SH më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht A.K,.

I dëmtuari A.K tha se, i akuzuari Arsiq së bashku me Dragan dhe Boban Niçiq, të cilët i kishe njohur, i kishin thënë “kape këtë terrorist (B.Sh) dhe shko tregoju terroristeve të tjerë se çfarë ka për të ju ndodhur”.

A.K tha se ku kishte ndodhur vrasja e të ndjerit B.Sh, kishte qenë vetëm i akuzuari Arsiq.

“Pak emocionet pe bojnë të veten se kur e  shpjegon njeri çka ka përjetu osht vështirë me kontrollu veten, mu po m’doket që qitash jom t’u e përjetu qat rast”, tha i dëmtuari A.K.

I dëmtuari A.K tha se kishin qenë rreth tridhjetë pjesëtarë në momentin kur ishte maltretuar por sipas tij, udhëheqësi i tyre kishte qenë i akuzuari Arsiq duke shtuar se Dragan Niçiq, i kishte thënë të akuzuarit të mos ta vriste atë pasi që nga lindja kishte të meta fizike.

I dëmtuari A.K. ka thënë se i akuzuari Dushko Arsiq ishte personi që e kishte goditur në shpinë, në prill 1999, me tytë të kallashnikovit.

A.K ka thënë pasi e ka shikuar të akuzuarin për ta identifikuar, ka thënë se është i sigurt se është personi që e kishte maltretuar.

“Ky osht shkaktar që unë sot e asaj dite i vuaj pasojat fizike dhe psiqike”, tha i dëmtuari A.K.

Duke treguar për ditën kritike, A.K. tha se më 20 prill 1999 ishte nisur nga shtëpia e tij në drejtim të fshatit Butovc për të kërkuar babin e tij dhe djalin e axhës.

A.K tha se në momentin që kishte arritur tek varrezat e “Maçedoncve” në fshatin Butovc, ishte Arsiq shtrirë me ushtarët dhe paramilitarët serbë. Ka thënë se kur i kishte parë të shtrirë, Arsic ishte çuar në këmbë me kallash në dorë.

Duke shpjeguar momentin kur e kishte parë të 25-vjeçarin e vrarë, A.K  ka thënë se i ndjeri kishte qenë i shtrirë me fytyrë për toke. Ai ka thënë se e kishte kapur dhe kishte filluar ta tërheqë zvarrë.
Sipas tij, dy prej ushtarëve serbë ia kishte ngarkuar të ndjerin B.Sh në shpinë ku pastaj ishte rrëzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, i ndjeri kishte qenë në gjendje të rëndë.

Ndër të tjera i dëmtuari A.K, tha se pas disa minutash kur kishin arritur te një vend i quajtur ara e “Haxhi Imerit”, aty kishte vendosur ta lëshonte të ndjerin B.Sh dhe të ikte ku ata kishin filluar të gjuajnë me kallashnikov në drejtim të tij.

“Kanë filluar të shtijnë me armë që mendoj ka qenë kallashnikov, që dheun e pajsha ka çohet, që Zoti s’ma ka marrë shpirtin se për ta s’isha sot”, tha i dëmtuari A.K.

I dëmtuari A.K tha se më pas kishte shkuar dhe i kishte treguar ngjarjen kushëririt të tij duke shtuar se të akuzuarin Arsiq e kishte njohur vetëm si fytyrë për shkak se Vukashin një serb që kishte shtëpinë e tij në Kolovicë, kishte bërë një postbllok ku rrinin paramilitaret dhe aty i kishte rastisur të i shihte të njëjtin së bashku me Dragan dhe Boban Niçiç.

I pyetur nga prokurori Atdhe Dema, i dëmtuari A.K, tha se i akuzuari Arsic kishte pasur të veshur pantolla ngjyrë ushtrie, maicë të zezë dhe në kraharor i kishte pasur një shenjë si dhe një shami të zezë në kokë.

Gjatë deklarimit të tij i dëmtuari A.K, tha se kur ua kishte shpjeguar familjarëve duke shtuar se të njëjtit fillimisht nuk i kishin besuar për ngjarjen që i kishte ndodhur gjatë luftës,  dhe se në qershor 1999 kishin shkuar në vendin ku e kishte lënë të ndjerin në prill 1999, por ai nuk kishte qenë aty.

I njëjti, po ashtu, tha se në maj 2000, bashkëfshatari i tyre S.M kishte shkuar të merrte dru në mal me kali ku duke ecur kalit i kishte sharruar këmba dhe kishte dal xhaketa e të ndjerit B.Sh në afërsi të vendit ku ishte lënë nga i dëmtuari A.K.

Sipas të dëmtuarit A.K, bashkëfshatarit S.M iu kishte kujtuar ngjarja siç e kishte treguar i dëmtuari dhe kishte shkuar te shtëpia e tij dhe i kishte thënë se si e kishte përshkruar ai e kishte gjetur të ndjerin B.Sh, ku më pas e kishin lajmëruar redaksinë e gazetës “Koha Ditore” dhe Policinë e Kosovës.

I dëmtuari A.K tha se më pas asaj kufome i ishte bërë autopsia ku më pas kishte rezultuar që ishte trupi i të ndjerit B.Sh, ku pasi që kishte shkuar te familja e tij e kishte parë fotografinë e të ndjerit ku edhe ishte bindur që ai kishte qenë.

Kurse në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Arsim Krasniqi, i dëmtuarit A.K tha se ishte i sigurt që personi që e kishte goditur në ditën kritike në boshtin kurrizor ishte i akuzuari Arsic, për shkak që sipas tij të akuzuarit nuk i kishte ndërruar fare fizionomia e fytyrës.

I dëmtuari A.K tha se i akuzuari në ditën kritike në trup kishte pasur kallashnikov, dhe një gyp për të cilin pas përshkrimit që ia kishte bërë babait të tij e kishte kuptuar se ishte zollë.

I njëjti po ashtu tha se në atë kohë nuk e kishte moshën e pjekurisë që të kuptonte se çfarë armesh kishin qenë, duke shtuar se disa nga pjesëmarrësit aty kishin të veshura jakne me xhepa ku në ata kishin pasur edhe dy bomba.

Tutje i dëmtuari A.K, tha se dy prej pjesëtarëve të grupit paramilitar ia kishin ngarkuar të ndjerin B.Sh në shpinë, por nuk ia kishin cekur se ku ta çonte dhe ai kishte vazhduar të ecte në drejtim të shtëpisë së tij në Butovc.

Po ashtu i dëmtuari A.K tha se tek familja e të ndjerit B.Sh, kishte shkuar vetëm pasi të njëjtit e kishin marrë kufomën vetëm për ngushëllime duke shtuar se i ndjeri nuk ishte i fshatit të tij dhe se ai e kishte kuptuar për emrin e tij pasi që ishte bërë rivarrimi i tij.

Ndër të tjera i dëmtuari A.K tha se pasi që e kishte identifikuar të akuzuarin Arsic në zyrën e mbrojtjes së viktimave në Komunë në Prishtinë e kishte kuptuar që i njëjti kishte punuar në komunë deri në vitin 1999,.

Në anën tjetër në pyetjet e të akuzuarit Arsic, i dëmtuari A.K tha se vendi ku e kishte lënë të plagosurin aso kohe, e tani më të ndjerin B.Sh, ishte rrugë dytësore dhe që sipas tij edhe i akuzuari e dinte, ku po ashtu i njëjti tha se e kishte parë të armatosur të akuzuarin Arsiq.

Kurse në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Suzana Çerkini, i dëmtuari tha se ditën kritike pas disa ore kishin ikur nga fshati dhe ishin nisur në Prishtinë përmes malit duke shtuar se rrugës kishte pasur vështirësi pasi që kishte qenë i lënduar dhe se ekzaminim mjekësor kishte bërë vetëm në vitin 2004.

Në fund i dëmtuari A.K tha se ndihet i dëmtuar me dëmtime të pariparueshme, por vlerën nuk mund ta precizonte por sipas tij për të njëjtën do të deklarohet në seancat e radhës.

Në fillim të kësaj seance pasi që palët u pajtuan të konsiderohet e lexuar dhe i akuzuari Arsiq u deklarua i pafajshëm, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse.

Prokurori special Dema,  në fjalën e tij fjala hyrëse tha se nga provat e propozuara nga Prokuroria, të cilat do të elaborohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, do të provohen veprimet inkriminuese të cilat do të materializojnë figurën e veprës penale me të cilën ngarkohet i akuzuari Arsiq.

I njëjti po ashtu tha se ishin të sigurt që gjykata do të bindet që i akuzuari fajtor për veprën penale dhe të njëjtit  gjykata do ta dënojë konform ligjit.

Edhe mbrojtësi i të dëmtuarit A.K, avokati Arsim Krasniqi tha se mbështet fjalën e prokurorit duke shtuar se pas administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Arsic lidhur me veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arsiq, avokati Nebojsha  Vlajic, në fjalën e tij hyrëse tha se luftërat janë ngjarje shumë tragjike në histori të njerëzimit dhe se vuajtjet e popullit të Kosovës në vitin 1999 kanë qenë të mëdha.

I njëjti po ashtu tha se me gjithë respektin që kishte për vuajtjet e përjetuara dhe duke shtuar se viktimat në Kosovë kishin të drejtë të presin drejtësi,  por sipas tij dënimi i personave të pafajshëm nuk ishte i drejtë. Ai tha se beson në gjykatë duke kërkuar nga gjyqtarët që të jenë më ekspeditiv dhe më e shpejtë që ky gjykim të kryhet sa më herët.

Seanca e sotme u ndërpre kurse të radhës priten të mbahen më 10 maj, 6 qershor dhe 13 qershor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor të këtij viti, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsic në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsicin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje si dhe për vrasje.

Arsic akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që me 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”.

Sipas aktakuzës, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë, thuhet se i akuzuari Arsiq me 20 prill të vitit 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i moshës 15 vjeçare.

Sipas aktakuzës, Arsic bashkë me paramilitarë tjerë serb, të veshur me maicë të zezë lartë, pantallona ushtarake, shami në kokë, të cilët kanë pasur një emblemë me kryq me shkronjat “CCCC”, fillimisht i kanë urdhëruar A.K ta heqë çantën të cilën e ka pasur në shpinë, e më pas i akuzuari Arsic  i ka shkuar nga pas shpinës dhe e ka goditur me tytën e automatikut në pjesën e poshtme të shinës.

Në aktakuzë thuhet se ndërsa si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ka rënë menjëherë në tokë, me fytyrë nga livadhi, e kështu të njëjtit vazhdojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, në aspektin fizik dhe psiqik.

Gjithashtu, në akt-akazë thuhet se më pas është shkrepur arma automatike si pasojë e së cilës e sheh rrëzuar në tokë një person, e që më vonë e kishte kuptuar se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh. nga fshati Trudë. Pas kësaj, thuhet se i akuzuari Arsiqi është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “përpara nënën ja …., shiko ky terroristi”. Gjithnjë sipas aktakuzës, dy ushtarë tjerë që ishin në afërsi të të plagosurit B., njëri prej tyre i është drejtuar të akuzuarit Arsic me fjalët “”mos e vrit, ky është i gjymtuar, edhe ti ke vëlla të gjymtuar”, e në ato momente i dëmtuari A.K., i ka vërejtur edhe dy persona tjerë të nacionalitetit serbë, të quajtur Dragan Niçiç dhe Boban dhe pas një bisede i ka pyetur të njëjtit “pse bre koshi kjo kështu”, Bobani i ishte përgjigjur “kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji”. Kurse Dragan Niçiç i ishte drejtuar në gjuhën shqipe “kape për duar këtë terrorist dhe shko tregoju terroristëve tjerë se çfarë ka me ju gjet”, e që për shkak të këtyre veprimeve i dëmtuari A.K. i vuan pasojat edhe sot e asaj dite në aspektin fizik dhe psiqik.

Me këtë ka kryer veprën penale “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Exit mobile version