Telegrafi

Dëmtohet sinjalistika në magjistralen Durrës – Kukës

Burime për "Gazeta Shqiptare" pohojnë se, dëmtime të konsiderueshme kanë pësuar ndriçuesit fosforeshentë. Dëmtimet më evidente në sinjalistikë janë konstatuar kryesisht në qendrat e banuara rurale, në hyrje të qytetit të Kukësit, por edhe në disa segmente të tjera.

Titullarë të rrugëve në Kukës thonë se për këtë shqetësim, krahas apelit për ruajtjen e akseve rrugore, ndërgjegjësimin e banorëve për ruajtjen e sinjalistikës, kanë ngritur një grup pune të përbërë nga specialistët për të evidentuar konkretisht dëmet e shkaktuara.

"Pothuaj e gjithë traseja ka dëmtime në sinjalistikë. Kjo gjë po ndikon negativisht tek shoferët që përshkojnë autostradën, ku në mungesë të tabelave të caktuara, udhëtojnë me shpejtësi të rrezikshme, duke shkaktuar aksidente të shumta dhe me pasoja", – konfirmojnë burimet zyrtare nga drejtoria rajonale e rrugëve Kukës.

Përveç kësaj, në autostradë janë bërë ndërhyrje të ashtuquajtura provizore, siç është ajo e hapjes së rrugës hyrëse për qytetin e Kukësit, ajo e fshatit Shtiqën, Përbreg, Bardhoc, Gjegjën dhe Morinë.

Mësohet se traseja e autostradës ende nuk ka përfunduar dhe nuk është dorëzuar e dëmtimet në sinjalistikë mund të vazhdojnë, duke shkaktuar jo vetëm dëme financiare për buxhetin e shtetit, por dhe rrezik për aksidente.