Telegrafi

Dëmtohet gypi, Podujeva mbetet pa ujë

Zyrtarët e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” kanë njoftuar se të enjten në mes ditë, është dëmtuar gypi magjistral Albanik-Podujevë me diametër fi 400, me këtë rast pjesa me e madhe e qytetit të Podujevës me rrethinë, kanë probleme rreth furnizimit me ujë të pijshëm.

“Tash për tash, Podujeva është duke u furnizuar me ujë të pijshëm vetëm nga Stacioni i Pompave në Peran, me vetëm 22 l/s. Dëmtimet e tilla shpeshherë vijnë si pasojë e temperaturave të ulëta mbi vendin tonë” është thënë në njoftimin e kësaj kompanie.

Sipas tyre, ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujit, Njësia Operative e ujësjellësit në Podujevë, janë duke punuar që nga dita e djeshme për të sanuar këtë defekt.

“Punimet janë ende duke u zhvilluar, dhe me punën intensive që po bëhet, po besojmë që sanimi do përfundojë sot në orët e pasdites dhe më së largu deri në orët e mbrëmjes”, thekson njoftimi i KUR “Prishtina”. /Telegrafi/