Telegrafi

Dëmtim i rëndë për Montolivon, gjashtë muaj jashtë fushave

Lajme të këqija nga stafi mjekësor i Italisë për gjendjen e Ricardo Montolivos.

Mesfushori i të kaltërve, i cili u zëvendësua nga Bonaventura në minutën e 30-të në takimin me Spanjën për arsye dëmtimi pas një përplasjeje me Sergio Ramos, mësohet se ka këputur ligamentin e gjurit të majtë.

31-vjeçari duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale dhe do të qëndrojë 6 muaj jashtë fushave të blerta.

Montolivo ka qenë i detyruar të largohet nga grumbullimi i kombëtares, ndërsa Milani në një komunikatë zyrtare ka konfirmuar nevojën e një operacioni për këtë dëmtim të rëndë.

Trajneri Ventura nuk do ta ketë në dispozicion mesfushorin ndaj Maqedonisë këtë të diel, kundër Lihtenshtejnit më 12 nëntor, por edhe më Shqipërinë më 24 mars, ndërsa me Milanin Montolivo mund të kthehet në fund të sezonit.