USS Thach doli në detin e hapur më 1982, ndërsa është nxjerr jashtë përdorimit në vitin 2013. Marina e SHBA-ve, Koresë së Jugut, Kanadasë dhe Australisë – nga ajri, nga sipërfaqja dhe nën ujë kanë hedhur mbi 2.5 tonelata eksplozive, ndërsa u deshën 12 orë për ta çuar në fund të Paqësorit.
Ushtrimi i fundosjes, SINKEX, u zhvillua si pjesë e stërvitjeve të mëdha detare – RIMPAC 2016. Veprime të ngjashme janë kryer çdo dy vjet, e për to përdoren luftanije të vjetruara nga të cilat heqin armët dhe karburantet. Tach u fundos shtatë kilometra në veri të ishullit havaian Kauai, transmeton Telegrafi.
Këto ushtrime ofrojnë mundësi të provohen taktikat e ndryshme, stërvitjet e orientimit dhe përdoriim të armëve të fundit.
Anija u përball me raketën Harpoon nga marina jugkoreane, e pastaj me armë të njëjta iu bashkuan anijet dhe helikopterët australianë. Më vonë nisi sulmi i aviacionit amerikan e në fund u kyçën anijet e mëdha kanadeze e amerikane, si dhe bombarduesit B-52.
Nga demonstrimi i fuqisë i kënaqur mbeti admirali kanadez Scott Bishop, zëvendëskomandant i RIMPAC-ut për këtë vit.
“Këto ushtrime janë të rëndësishme për ngritjen e gatishmërisë sonë luftarake dhe të zhvillojë koordinimin mes marinave të kombeve të ndryshme” ka thënë ai.
Këtë vit në RIMPAC – për të 25-ën herë me radhë – kanë marrë pjesë gjashtë kombe me 45 anije, pesë nëndetëse, mbi 200 aeroplanë dhe 25 mijë persona. /Telegrafi/