Rama tha se opozita do të protestojë paqësisht dhe se nuk i bën demonstratat për vete por për shqiptarët. “Ne do të dalim në 18 shkurt për të kërkuar liri,zgjedhje të lira, transparencë, paqësisht por vendosmërisht”, tha Rama, duke shtuar se demonstrata e 18 shkurtit do të jetë “për votat që vidhen, për pasuritë kombëtare që plaçkiten në mënyrë të jashtëligjshme, për paratë që fitohen mal nga kusarët duke bërë gropë ekonominë, për të varfit për të papunët, për çdokënd që nuk përballen dot më me rritjen e frikshme të çmimeve”.
Rama komentoi gjithashtu sesionin e sotëm parlamentar, duke thënë se ata që ai i quajti dy përgjegjësit kryesorë për vrasjen e katër demonstruesve në 21 janar, nuk u paraqitën në parlament, duke iu shmangur përballjes me opozitën.
“Ne do të ri-dalim në demonstratë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk është luftë për pushtet, por një betejë e ligjshme për shtetin e së drejtës dhe jo një shtet që vret njerëzit në mes të qytetit”, tha kryetari i opozitës. /Telegrafi/