Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Haki Demolli ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi.
Ministri Demolli me këtë rast, falënderoi ambasadorin Minxhozi si dhe përmes tij, Qeverinë e Shqipërisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes për ndihmën e vazhdueshme që Shqipëria dhe Ministria e Mbrojtjes po japin për FSK-në, dhe në veçanti falënderoi ministren Mimi Kodheli për përkrahjen e saj, në të gjitha aktivitet regjionale dhe ato ndërkombëtare, që po bënë për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në.
Ministri Demolli dhe ambasadori i Shqipërisë z. Minxhozi, biseduan edhe rreth intensifikimit të bashkëpunimit në të ardhmen, në përkrahjen profesionale të FSK-së, si dhe angazhimin e shtetit
shqiptar për pranimin e FSK-së, në organizmat ndërkombëtarë të sigurisë.
Nga ana e tij, ambasadori i Shqipërisë Minxhozi falënderoi ministrin Demolli për pritjen, si dhe rikonfirmoi edhe një herë vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen në mes dy shteteve dhe dy ministrive.
Ai u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë që ta mbështes Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në, në rrugën e saj të zhvillimit profesional dhe inkuadrimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë të Sigurisë.