Site icon Telegrafi

Demokratizimi në Kosovë dhe sfidat e vërteta

Nuk besoj që ka ndonjë vend në botë e cila në proporcion me numrin e banorëve, ka aq shumë parti demokratike, së paku sa i përket emërtimit të tyre nominal, sesa Kosova. Por realiteti politik këtu, demonstron një nivel jo të kënaqshëm demokratik, si ne tërë sistemin politik ashtu edhe brenda vet subjekteve politike. Arsyet për këtë deficit demokratik janë të shumta dhe te ndryshme, prej mungesës së një tradite më të gjerë institucionale, edukimit politik, liderizmit, nepotizmit e deri te tek një pamundësi e emancipimit te udhëheqësve partiak për një mendësi më kritike dhe paaftësi për konkurrence të shëndosh profesionale e intelektuale brenda vet partive politike.

Dikush, mund te pohoj se Kosova ka nevoje për një profilizim të spektrit politik. Bile se kjo do ti kontribuoj demokratizimit të vendit. Por, ne fakt skenës tone politike nuk i duhet aq shume një dikotomi e majtë dhe e djathtë pa ndonjë dallim substancial e konceptual, sa i duhet një dinamizëm dhe konkurrencë idesh, vlerash, vizionesh e konceptesh politike, ndërmjet asaj qe me këtë rast, mund të e quajmë forca politike progresive dhe aso konservative. Bile as kjo nuk do te sjell asgjë nëse është vetëm retorikë e thatë paraelektorale, pa qene e dukshme dhe e prekshme si një stil i qeverisjes ndryshe, si një kulturë e re politike. Përndryshe, politika ndryshe nënkupton te jesh me afër qytetarit dhe në shërbim të qytetarit, edhe atë larg kamerave televizive. Reformat shume shpesh të proklamuara, nuk bëhen dot pa bërë asnjë zëvendësim të akterëve të konsumuar politik, si dhe pa e ndërruar qasjen ndaj çështjeve jetike për shoqërinë. Në fakt, para se të reformohen vërtetë partitë politike me këtë (re)formë ambivalente, ato duhet fillimisht të transformohen respektivisht të demokratizohen. “Reformimi” i institucioneve në Kosovë është një histori që nuk i duket fundi në horizont. Rastet si i Arsimit të Lartë, Gjyqësorit, Shëndetësisë, Administrimit etj., ku termi reformë nuk mungon asnjëherë nga fjalori politik, por që në esencë me zhvillime dhe avancime në praktike s´po rezultojnë aspak të suksesshme, flet më mirë se çdo gjë tjetër se jo kompetenca dhe mbyllja hermetike qon në dështim të pashmangshëm.

Qytetarit të Kosovës, sot dhe nesër në zgjedhje, pak e hiç do ti sjell dobi kahja formale ideologjike, vetemërtimi dhe shpërndarja ceremoniale e librezave partiake, por më shumë do ti interesoj platforma politike- oferta, me te cilën jeta e tij do të mund të përmirësohej dukshëm. Në trendët politike kudo në botë, dikotomia e majtë dhe e djathtë si dhe anëtarësia e përjetshme është dukuri e tejkaluar. Madje në literaturën shkencore kjo ndarje klasike e spektrit brenda sistemeve politike, ka kohë që trajtohet si një ikonë e së kaluarës dhe çështje që në shekullin tonë nuk përkon më me realitetin. Paramendoni kancelaren gjermane Angela Merkel duke brohoritur për qëndrimet e saja djathtiste, apo kryeministrin e dikurshëm britanik Tony Blair duke vrapuar pas votës së majtë! Në fund të fundit, me çka në të vërtetë do të dallonin politikat e djathtistëve apo majtistëve në Kosovë?

Të ballafaquar me probleme të rënda ekonomike, sociale dhe politike, tentativat për orientime sipërfaqësore ideologjike, pa ofruar rrugëdalje të mirëfilltë nga kjo krizë e thellë, mund të konsiderohen si tallje me demokracinë. Ajo me çka duhet pasuruar skenën politike këtu, janë para së gjithash përgjigjet konkrete për uljen e papunësisë, planet e zhvillimit ekonomik, urbanistik si dhe strategjitë e zgjidhjeve të problemeve të shumta që preokupojnë popullin. Përndryshe, nëse vazhdohet me inskenime mediatike, demagogji folkloristike dhe me avazin e deritashëm, votuesi i arsyeshëm më parë do të ikë nga kutia e votimit se të ndahet në “ekipin” e majtë apo të djathtë. Kurse bojkoti i zgjedhjeve është përherë një apel për demokracinë, një revoltë që aspak nuk i kontribuon demokracisë. Prandaj iu mbetet subjekteve politike që të reflektojnë mire se me kë, si dhe me çka do të meritojnë përkrahjen e elektoratit dhe votëbesimin e ardhshëm. Sa me herët që të nxjerrët ky mësim, aq më mirë do të jetë edhe për Kosovën edhe për demokratizimin e mëtutjeshëm. Kjo është edhe imperativ i kohës dhe domosdoshmëri që kërkon shoqëria jonë. Ngase ky proces ndoshta është i mundimshëm, por gjithsesi i mundshëm.

(Autori është pedagog në Universitetin e Prishtinës)

Exit mobile version