Nëse kthehemi në retrospektivën e gjatë historike, shohim se ndër arsyet kryesore pse lindi shteti ishte një nevojë e domosdoshme për shtrirjen territoriale të shtetit, dhe krijimin e një stabilimenti të përgjithshëm për të gjithë qytetarët e tij. Si do që të jetë, kur flasim sot mbi shtetin kihet parasysh se me të nënkuptohet një mekanizëm institucional i aftë që të qeverisë vetën, të ketë shtrirje territoriale dhe që ka monopol të përdorimit të dhunës fizike. Madje, sipas Carl Schmit-it, krijimi i shtetit ka qenë arritja më e madhe e civilizimit perëndimor Kështu, që shteti është një dukuri shoqërore që luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore; është një institucion i rëndësishëm shoqëroro – politik dhe paraqet një problem të trajtuar gjerësisht jo vetëm në fushën e sociologjisë, por edhe në shkencat tjera, si ato juridike, politike etj.
Sipas sociologut Max Weber “Shteti është një institucion i vetëm shoqëror që përmes mekanizmave të ndryshme e siguron rendin dhe paqen”. Këtë funksion e kryen përmes “të drejtës legjitime për shfrytëzimin e forcës fizike”. Në këtë kontekst, ndër elementet e elaborimit të shtetit është shtrirja territoriale në gjithë territorin e tij dhe aftësia për menaxhuar, në raste të ndjeshme edhe legjitimiteti i përdorimit të dhunës. Andaj, ky element është një demokraci bashkëkohore për të cilat është folur që nga teoritë e Tocqueville-t e deri tek Poliarkia e Robert Dahlit.
Ngjarjet e ndodhura para disa javësh në pjesën veriore të vendit edhe njëherë dëshmuan se kjo pjesë dominohet nga struktura ilegale të themi kështu, sepse struktura paralele siç thuhet në opinion nuk përkon me konceptin e drejt. Strukturat ilegale, organizimi dhe funksionimi i tyre, madje edhe ndihma nga mercenarët rusë, treguan se janë në gjendje të bëjnë çmos vetëm të destabilizojnë shtetin e Kosovës. Normalisht se ndër faktorët kryesor që kanë ndikuar këtu kanë qenë:
1. Faktori politik – Serbia, edhe njëherë ka dëshmuar para botës se ende ka nostalgji për ekspansione të mëdha, ende vuan nga mitomania, ende ka politika ultra-nacionaliste, ende synon Kosovën, pavarësisht se cili mund të jenë çmimi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Madje, kjo u dëshmua edhe përmes këtij rasti të veriut, gjë që pati edhe viktima, ku me këtë rast pjesëtari i njësisë speciale Enver Zymberi gjeti vdekjen si rezultat i akteve kriminele të këtyre strukturave ilegale.
2. Faktori ekonomik – qasja marksiste se “superstruktura determinon infrastrukturën”, pra baza ekonomike mund të përcaktoj të gjitha poret e jetës, mund të na ndihmojë në këtë drejtim. Poashtu, u vërejt se sa ka ndikim faktori ekonomik, këto struktura ilegale përveç tjerash kanë mega qëllime që ta vënë veriun në këtë pozicion, ky pozicion iu shkon për shtati me faktin se kanalizimet lidhur me kontrabandën mund të jetë të hatashme, dhe të mirat materiale që hyn përmes këtyre rrugëve padyshim se janë të mëdha. Andaj, faktori ekonomik është një ndër shkaqet kryesore edhe të zhvillimit të konflikteve kudo sot, gjë që së miri e argumenton këtë fakt.
3. Faktori social – Këto struktura ilegale, në fakt as që dëshirojnë të dëgjojnë lidhur me integrimin e tyre në shoqëri. Kanë përkrahje nga Beogradi zyrtar dhe nuk qajnë kokën për asgjë. Kështu, që faktori social luan rol me rëndësi në këtë drejtim, duke marrë parasysh faktin se pavarësisht nga ajo që institucionet kosovare po bëjnë përpjekje për integrimin e qytetarëve në veri dhe krijimin e një kohezioni social, shumica e qytetarëve kanë frikën e një integrimi të tillë nga këto struktura ilegale.
4. Faktori kulturor – Kultura në fakt konsiderohet si një integrim social në vete, BE-ja qysh herët e ka pasur në agjendë të saj se një shtet nacionalist nuk mund të pranohet në gjirin e saj. Po në këtë drejtim, faktori kulturor është i rëndësishëm për tu integruar në BE. Ndaj, në veçanti këto struktura ilegale mundohen që me çdo kusht t’i japin imazh negativ Kosovës, duke u munduar që të destabilizojnë në forma dhe mënyra të ndryshme.
5. Faktori religjioz – edhe pse kombëtarja dhe religjiozja shpeshherë janë sijameze, religjiozja shpeshherë është frymëzim i kësaj të fundit, gjë që u pa elementi nacional i kishës ortodokse në këto veprime. Madje, pas bllokimit të rrugëve në veri klerikë ortodoks bekonin strukturat ilegale, duke pasur një ndikim të lartë në mobilizimin e masës.
Prandaj, në këtë analizë kemi pasqyruar disa nga faktorët potencial që kanë ndikuar në rezultatet e destabilimentit në veri të vendit, ka edhe faktor tjerë si ai medial i cili ka pasur poashtu ndikim të lartë, megjithatë këta faktorë kanë qenë ndër faktorët kryesor në valën e tensioneve në veri.
10 top arsyet pse u desh të ndërhyhet në veri
Demokracia nuk nënkuptohet vetëm në aspektin teorikë, por më e rëndësishmja është se ajo (demokracia) duke të kuptohet më shumë në aspektin praktik, të shihet dhe promovohet zbatimi i saj. Kështu, që shteti demokratik duhet të shtrijë edhe shtrirjen territoriale në tërë vendin, në mënyrë që qytetarët e tij të ndjehen më të sigurt. Institucionet kosovare më ndërhyrjen në veri, patën edhe përkrahjen e mekanizmave tjera kosovar, shoqërisë civile, faktorit ndërkombëtar, opozitës, si dhe shumë mekanizmave me qëllim që të arrihet një stabilitet i përgjithshëm. Andaj, 10 arsyet kryesore të ndërhyrjes në veri, që vlerësoj se përbëjnë një hap para, janë:
1. Ndërhyrja në veri ka pasur qëllim shtrirjen territoriale të shtetit të Kosovës, gjë që është në përputhje me normat dhe drejtat e marrëdhënieve ndërkombëtare.
2. Ndërhyrja në veri, përveç shtrirjes territoriale ka pasur edhe qëllim që të gjithë qytetarët të jetojnë në liri, të kenë siguri e jo në frikë.
3. Kosova, si shtet ka një mekanizëm ligjor, është e aftë që të qeverisë vetën.
4. Që nga pas lufta e këtij, veriu ka qenë pikë e ndjeshme, dhe rasti i ndërhyrjes së tillë është dashur që bëhet më herët, por si thotë populli: “më mirë vonë se kurrë”.
5. Veriu i Kosovës ka qenë cak i kontrabandistëve, që shtetit të Kosovës i shkaktuar miliona humbje.
6. Pikat në veri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk janë kontrolluar, përveç kontrolleve rutinore nga KFOR-i.
7. Serbia në mungesë të kontrollimit të Kosovës, është munduar që të instrumentalizoj çështjen e veriut, në mënyrë që Kosova të ketë probleme dhe të ngecët mbrapa.
8. Në mungesë të funksionimit të ligjit në veri kanë hyrë dhe dalë politikanë serbë nga Serbia, gjë që me fjalimet e tyre kanë ri-mobilizuar strukturat ilegale, duke u bërë kështu rrezik potencial edhe ndaj komuniteteve tjera që jetojnë në veri.
9. Aksioni i ndërmarrë në veri nga institucionet kosovare, kanë dëshmuar fuqinë e shtetit të Kosovës se është e aftë t’ia del pavarësisht reagimeve të shumta nga qarqet ndërkombëtare. Madje kjo ka korreluar edhe me deklaratën e z. Dell se: “Institucionet e Republikës së Kosovës”, janë të afta të qeverisin veten.
10. Që nga pas lufta as UNMIK-u e as EULEX-i nuk kanë bërë asgjë lidhur me situatën në Veri, andaj ka qenë e nevojshme një ndërhyrje e tillë.
Këto 10 arsye, si dhe shumë arsye tjera që nuk do të mjaftonin t’i thurim me pak rreshta kanë qenë të nevojshme për një ndërhyrje të tillë në veri. Sot, një shtet demokratik është ai i cili, përveç tjerash shtrirje të plotë territoriale ka edhe monopolin e legjitimitetit të dhunës. Teoritë mbi anarkizmin edhe sot mund të dalin në shpërfaqe siç është rasti i fundit me Britaninë e Madhe, mirëpo shteti si një mekanizëm institucional duhet të jetë i aftë t’i menaxhoj këto situata, sepse në fund të fundit shteti ka lindur edhe si rezultat i mbrojtjes së qytetarëve të saj, gjë që edhe obligim ligjor dhe moral.
Andaj, ajo që mbetet enigmë në këtë proces është fakti se pavarësisht rrethanave që eventualisht mund të dalin, institucionet e Kosovës duhet të jenë të vendosura që stoikisht t’i mbrojnë qëndrimet e tyre. Ato duhet të jenë në koordinim me institucionet relevante ndërkombëtare, përkatësisht me Uashingtonin dhe Brukselin, pastaj duhet të kenë qëndrim unik, përkrahje nga faktorët tjerë dhe mekanizmat institucional në Kosovë. Duhet të krijohen strategji afatgjata lidhur me veriun. Dihet se kjo çështje është çështje e ndjeshme, dhe duhet të koordinohen të gjitha akterët në mënyrë që problemi të evitohet, të respektohet ligji, të shtrihen autoritetet e institucioneve të Kosovës në tërë territorin e saj, në mënyrë që qytetarët të kenë siguri dhe liri.
(Autori është Asistent i Sociologjisë Politike në Kolegjin Universitar “ILIRIA” në Prishtinë)