Site icon Telegrafi

Demokratët për trazirat në Kongres: Trump mund ta bëjë përsëri, nëse nuk dënohet

Demokratët kanë përfunduar argumentet e tyre që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nxiti sulmin ndaj Kongresit, duke paralajmëruar se ai “mund ta bëjë përsëri”, nëse nuk dënohet.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, prokurorët e fajësimit përdorën po ashtu edhe fjalët e vetë protestuesve për ta lidhur Trumpin me dhunën e muajit të kaluar, duke argumentuar se trazirat kishin shkaktuar edhe dëmtime afatgjata.

Demokratët gjithashtu paraqiten raporte nga policia, stafi, nga zyrtarët e inteligjencës si dhe nga mediet e huaja për ta ndjekur çështjen e tyre.

Ekipi i ish-presidentit amerikan do të paraqesë të premten argumentet për sa i përket kësaj çështjeje.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët, fajësoi Trump muajin e kaluar, për nxitjen e trazirave në ndërtesën e Kapitolit më 6 janar.

Në anën tjetër, avokatët e ish-presidentit Trump, kanë argumentuar se ai po përdorte të drejtën e tij për lirinë e fjalës kur i quajti mashtrime zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar. /Telegrafi/

Exit mobile version