Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar hetime për çështjen nëse këshilltari i sigurisë kombëtare të administratës amerikane, Michael Flynn, ka diskutuar për sanksionet kundër Rusisë, me ambasadorin e Moskës në Uashington, derisa ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ishte ende në detyrë.
Ligjvënësit demokratë kanë pretenduar mbrëmë se bisdat telefonike, për të cilat raportohet gjërësisht në mediat e Shteteve të Bashkuara, mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, që shtetasve privatë nuk u lejon të udhëheqin politikë të jashtme.
Senatorët demokratë, Ed Markey dhe Chris Murphy, kanë kërkuar hetim ndaj zotit Flynn, ndërsa demokratët e tjerë i kanë bërë thirrje presidentit, Donald Trump, që ta shkarkoj atë.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump ka “besim të plotë” në këshilltarin Flynn, i cili u kishte thënë gazetarëve se “nuk është i sigurt” nëse ka diskutuar për sanksione me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur Barack Obama po e përgatiste rundin e ri të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë.
Presidenca e Rusisë dje në mënyrë kategorike i ka hedhur psohtë pretendimet se Flynn kishte pasur çfarëdo bisede për sanksione me zotin Kislyak.