Një grup i senatorëve të njohur demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Departamenti i thesarit dhe Zyra e prokurorit të përgjithshëm, të zhvillojnë hetime për dyshimet lidhur me biznesin e presidentit, Donald Trump, në Azerbajxhan, duke thënë se ndoshta i ka shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit.
Dianne Feinstein, Ben Cardin dhe Sherrod Brown, këtë kërkesë e kanë bërë sot, duke thënë se shqetësimet e tyre ishin ngritur pas një artikulli në revistën, The New Yorker, me titullin, Marrëveshja më e Keqe e Donald Trumpit, ku përshkruhen lidhjet biznesore të Organizatës Trump me Ministrin e transportit të Azerbajxhanit dhe oligarkun, Ziya Mammadov.
Mammadov është i dyshuar se ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, për shkak të mbështetjes së terrorizmit.
Senatorët kanë theksuar se me gjithë që firma e Trump ishte tërhequr nga marrëveshja e propozuar për ndërtimin e një rrokaqielli në kryeqytetin Baku në Azerbajxhan, megjithatë “mbeten pa përgjigje pyetjet serioze për potencialin e Organizatës Trump për përgjegjësi penale”.
Presidenti Trump ka refuzuar ta tërheq vetveten nga interesat biznesor të tij ose që ato të administrohen nga një trupë e pavarur dhe, për dallim nga presidentët dhe kandidatët presidencialë prej viteve të 70-ta, ka refuzuar t’i zbuloj taksat e tij. /rel/