Telegrafi

Demokracia Studentore paralajmëron protesta nëse nuk shkarkohet Shala

Demokracia Studentore ka kërkuar shkarkimin e ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, pasi sulmoi fizikisht një gazetar.

Kjo organizatë studentore përmes një komunikate për media ka paralajmëruar protesta nëse kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, nuk e shkarkon atë.

“Ne studentët shprehim shqetësim të thellë për aktin e goditjes brutale të gazetarit Ensar Ramadani, dhe apelojmë autoritetet e drejtësisë që ta arrestojnë ministrin Shala dhe njëkohësisht kërkojmë nga kryeministri i vendit që ta shkarkojë këtë ministër, ne e konsiderojmë këtë akt të rëndë dhe si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj medias dhe fjalës së lirë, saktësisht ndaj demokracisë, goditja direkte e një punonjësi aktiv të medias është një zhvillim trishtues dhe alarm kërcënues për demokracinë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, të premten Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj që ta shkarkojë ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, pas publikimit të pamjeve ku shihet se si ai godet gazetarin e IndeksOnline, Ensar Ramadani.

Lexo po ashtu Ministri Endrit Shala sulmon fizikisht gazetarin, reagon AGK

AGK vlerëson se pas publikimit të kësaj videoje , çdo gjë është e qartë dhe se drejtësia duhet të veprojë sa më parë, transmeton Telegrafi.

“Sjellja e ministrit karshi gazetarit i cili po kryente detyrën e tij, për AGK është e papranueshme dhe e patolerueshme. Situata bëhet edhe më e rëndë kur Shala, një ditë para se të publikohen këto pamje, kishte deklaruar se nuk e ka goditur gazetarin Ramadani”, vijon njoftimi.