Telegrafi

Demokracia Studentore: Ministri Bajrami, ozurpator i Arsimit në Kosovë

“Demokracia Studentore” përmes një reagimi për media thotë se sipas hulumtimeve që ka kryer kjo organizatë deklaron se përgjatë një viti ministri i MASHT-it Arsim Bajrami është pikërisht ai që i ka uzurpuar universitetet publike.

“Mirëpo, universiteti me më shumë parregullsi është Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ku ministri Bajrami së bashku me rektorin e këtij universiteti Agron Bajraktari kanë uzurpuar këtë institucion të dijes. Përveç shkatërrimit që po ndodh duke mos funksionuar në mënyrën të duhur dhe duke punuar pa asnjë kriter, gjithashtu aty është bërë edhe vatër e punësimeve partiake”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

‘Demokracia Studentore’ tutje thekson se në USHAF, ministri Arsim Bajrami ka punësuar edhe gruan e tij, e cila ligjëron tri apo më tepër lëndë pa e përfunduar doktoraturën.

“E kjo është arritur fare lehtë duke ditur ndikimin e ministrit që ka mbi universitetet publike. Ngjashëm bëjnë edhe shumë profesorë dhe profesoresha të tjera që kanë ndikim në politikë dhe nuk kanë doktoraturë por vazhdojnë të ligjërojnë nga tri e më shumë lëndë”, theksohet në reagim.

Kryetari i organizatës Demokracia Studentore, Mexhid Ramusa, shprehet se këto parregullsi janë shumë të rënda në një universitet i cili ende nuk ka bërë vitin e parë të plotë akademik.