Site icon Telegrafi

Demokracia në Veprim: Problemet potenciale me ngjyrën matrikuluese rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve

Demokracia në Veprim (DnV) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet rreth kualitetit të ngjyrës matrikuluese që do të përdoret në Ditën e Zgjedhjeve.

Këto do të jenë zgjedhjet e para, në të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të ndryshojë metodën e verifikimit të votuesve, duke hequr dorë nga spreji i padukshëm dhe kontrolli i gishtërinjve me UV-llambë, dhe duke kaluar në përdorimin e lapsit/ngjyrës matrikuluese për të shenjëzuar gishtin e votuesit.

Sipas specifikave teknike të kërkuara nga KQZ-ja, ngjyra matrikuluese do të duhej të qëndronte e dukshme në gisht për të paktën 48 orë.

Megjithatë, sipas informatave që DnV ka pranuar nga burime brenda KQZ-së, lapsi/ngjyra matrikuluese që është pranuar javën e kaluar përmes procedurave tenderuese nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara.

Sipas këtyre informatave, shenja e matrikulimit po qëndron në gisht pak kohë dhe e njejta mund të fshihet lehtësisht. Kjo do të mund të cenonte seriozisht integritetin e procesit zgjedhor.

DnV kërkon urgjentisht nga KQZ-ja që që të jetë transparente duke ofruar sa më shpejt informacione të plota dhe të sakta lidhur me këto dyshime.

Po ashtu kërkojmë nga KQZ që të ndërmerr veprime konkrete dhe të gjejë zgjidhje alternative për identifikimin e votuesve, nëse vërtetohet se ngjyra matrikuluese e pranuar përmes tenderit nuk përmbush standardet e cilësisë.

Exit mobile version