Site icon Telegrafi

Demokracia në sprovë

‘’Demokracia buron nga populli, me popullin dhe për popullin’’ – Abraham Lincoln

Demokracia si tërësi vlerash, paraqet kushtet reale për pjesëmarrje sa më të gjerë të njerëzve në ushtrimin e punëve publike, me qëllim të një mirëqenieje të përgjithshme. Ish-kryeministri anglez Winston Churchil thoshte se ‘’d emokracia paraqet formën më të keqe të rregullimit shtetëror, duke i përjashtuar të gjitha format e tjera’’.

Në bazë te teorive bashkëkohore politike, nocioni demokraci ka këto elemente themelore: 1. Sovraniteti popullor; 2. Qeverisja e së drejtës; 3. Ndarja dhe kufizimi i pushtetit shtetëror; 4. Zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta dhe pluraliste; 5. Sigurimi i të drejtave të qytetarëve; 6. Pluralizmi politik dhe ekonomik; 7. Përgjegjësia politike; 8. Procedura demokratike e marrjes se vendimeve; 9. Kultura dhe toleranca politike.

Nëse bëjmë një vështrim mbi demokracinë kosovare, duhet të cekim se prej vendosjes se Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në qershor të vitit 1999. Si dhe organizatave tjera, të gjithë janë përqendruar në ngritjen e cilësisë së qeverisjes vendore dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve vendore. Por, megjithatë, efektshmëria në procesin e demokratizimit po hasë në vështirësi edhe sot dhe një ndër shkaktarët është transparenca në vendimmarrje, pastaj mungesa e mirëfilltë e reformave ligjore, e sidomos në sistemin zgjedhor, sistemin ekonomik, qartësimi i përgjegjësisë, pjesëmarrja më aktive e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes…

Ndër elementet që e pengojnë demokracinë kosovare është edhe procesi i dobët i sigurisë publike. Rrënjët e qeverisjes demokratike në Kosovë mbeten të brishta nga politizimi i vazhdueshëm i jetës publike dhe realisht shpeshherë demokracia Kosovare mund të klasifikohet si demokracie paralizuar apo që nuk funksionon. Mungesa e demokracisë së duhur në Kosovë vije edhe nga mungesa e pjesëmarrjes së drejtpërdrejt vendimmarrëse, sepse te ne ka vetëm përfaqësim. Por, kam frikën e mos përfaqësimit real, sepse qeveritarët dhe politikanët nuk po bëjnë përfaqësim të interesave të popullit.

Demokracia mungon në Kosovë, ngase nuk funksionon në nivelin e duhur pushteti i së drejtës që bazohet në ligj. Pushtetarët, duke pasur parasysh disa përjashtime, thirren në emër të demokracisë, por në fakt më shumë po i shërbejnë interesave klanore.

Kanceri i demokracisë kosovare është korrupsioni, I cili për fat të keq tek ne ka lulëzuar. Por, ai mundet të luftohet me sukses vetëm nëse së bashku të gjithë e luftojmë atë, duke e manifestuar një mosbindje civile e veçanërisht nga brezi i ri (p.sh. studentët qe nuk duhet te ndjekin leksione nga një profesor i cili akuzohet me faktet se është i korruptuar, pastaj pacientët t’i demaskojnë mjekët e korruptuar, qytetari të refuzojë të paguajë ryshfet punëtorit të administratës që kërkon të paguhet për një shërbim…)! E tërë kjo është e pamundur nëse e ndjekim shembullin e qytetares amerikane Roza Parks, që me ‘’mosbindjen’’ e saj në vitin 1955 ndezi shkëndijën e lëvizjes për të drejtat afrikano-amerikane, duke i bërë një shërbim demokracisë amerikane.

Demokracia e vendit tonë po pengohet dhe lëndohet nga korrupsioni financiar me tenderë, që po bëhet me e pa mbulesë ligjore. Për një qeverisje të mirë, si tipar i demokracisë duhet te kemi ndërgjegjësim në rekrutimin dhe punësimin e specializantëve dhe profesionistëve të aftë që do ta ndajnë administratën meritokratike nga ajo politike. Gjithashtu, kriter i demokracisë është që shumica duhet ta respektojë pakicën, përndryshe derisa shumica sundon pakicën, demokracia është vetën një fiksion, sepse te drejtat e pakicës duhet të sigurohen për dy arsye kryesore: e para – demokracia nuk konsiston vetëm në pushtetin e shumicës, qe në mënyrë arbitrare t’i imponojë vendimet e saja, vetëm për faktin se paraqet shumice, por edhe në përgjegjësinë morale të shumicës ndaj qëndrimeve të pakicës; e dyta – shumica në qendrat e vendosjes politike, mundet të marrë errë vendime të gabueshme politike, andaj angazhimi i pakicës për opsione tjera jo vetëm që është i arsyeshëm, por edhe i dobishëm.

Një fenomen i përhapur në vendet në tranzicion apo ne demokracitë e pakonsoliduara është funksionimi i ligjit mbi baza të përzgjedhjes, megjithëse se slogani tanimë i njohur – ‘’te gjithë janë të barabartë’’ – figuron, realisht në demokracinë tonë disa janë më të barabartë se të tjerët. Qytetarët e Kosovës, që janë të ballafaquar me probleme sociale dhe politike, gjenden përballë programeve politike që janë asgjë tjetër pos orientime sipërfaqësore që nuk ofrojnë rrugëdalje të mirëfilltë nga kjo krizë. E tërë kjo mund të konsiderohet si tallje me demokracinë, për shkak se si asnjëherë më parë na nevojiten plane konkrete që i përgjigjen uljes së papunësisë, zhvillimit ekonomik etj. Në të kundërtën, me demagogji të kota, votuesi më parë do të ikë nga kutia e votimit, duke e sjellë një bojkot të zgjedhjeve – e që nuk është asgjë më shumë se revoltë që nuk i kontribuon demokracisë (sepse kur qytetari dyshon se vota e tij po shkon atje ku ai synon, kjo domethënë se diçka substanciale nuk po funksionon në demokracinë kosovare).

Vetëm me demokratizimin e partive politike, që janë urë lidhëse mes shoqërisë dhe politikës, mund të arrihet një demokratizim më i plotë.

Demokracia si sistem vlerash vjen edhe si rezultat i kompromisit me qëllim të zgjidhjeve paqësore të problemeve mes akterëve socialë (politikisht të rëndësishëm) dhe akterëvë prezentë ne arenën politike, duke aplikuar rregullën e mazhorancës si një rregull për vendimmarrje, por duke i mbrojtur edhe të drejtat e minorancës. Mirëpo, demokracia manipulohet kur me të luhet dhe përdoret për arritjen e qëllimeve dhe interesave personale dhe kështu nga demokracia kalohet në diçka krejt tjetër nga qëllimi dhe kuptimi i demokracisë së vërtetë. Ky demokratizim formal nuk krijon asgjë tjetër përveç një hendek mes qytetarit dhe institucionit, duke e humbur besimin ndaj shtetit dhe politikës.

Demokracia përfekte nuk ekziston askund, por përkundër kritikave, demokracia paraqet procesin me te suksesshëm drejt zgjidhjes paqësore të konflikteve të ndryshme. Dhe, si përfundim, po e citoj ish-presidentin amerikan Lincoln i cili thoshte: ‘’Te metat e demokracisë mund të evitohen me më tepër demokraci’’.

 

Exit mobile version