Jeffrey D. Sachs
Kundërshtimi i marrëveshjes klimatike të Parisit nga presidenti amerikan Donald Trump është pjesërisht produkt i injorancës dhe narcizimit të tij. Megjithatë, përçartjet e tij përfaqësojnë diçka më shumë. Ato janë një reflektim i korrupsionit të thellë të sistemit politik amerikan, i cili sipas një vlerësimi të fundit nuk është më “demokracia e plotë”. Politika amerikane është bërë një lojë e interesave të korporatave të fuqishme: ulje taksash për të pasurit, çrregullim për ndotësit gjigantë dhe luftë e ngrohje globale për pjesën tjetër të botës.
Gjashtë nga vendet e G7 punuan pa pushim javën e shkuar për të bindur Trumpin të ndryshojë mendje për ndryshimin klimatik, por ai rezistoi. Liderët evropianë dhe japonezë janë mësuar ta trajtojnë SHBA-në si një aleate për çështje kyçe. Me Trumpin në pushtet, ky është një zakon që ata po e mendojnë dy herë.
Por problemi shkon përtej Trumpit. Ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara e dinë së pari se institucionet demokratike të Amerikës kanë degraduar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, duke filluar mbase që nga vitet 1960, kur amerikanët filluan të humbasin besimin në institucionet e tyre politike. Politika amerikanë është bërë gjithnjë e më e korruptuar, cinike dhe e shkëputur nga opinioni publik. Trump është veçse një simptomë, megjithëse shokuese dhe e rrezikshme e një sëmundje më të thellë politike.
Politikat e Trumpit përfaqsësojnë prioritete me një shpirt të ligë të cilat mbështeten gjerësisht nga Partia Republikane në Kongresin Amerikan: ulje taksash për të pasurit në kurriz të programeve që ndihmojnë të varfrit dhe klasën punëtore, rritje të shpenzimeve ushtarake në kurriz të diplomacisë dhe lejim i shkatërrimit të mjedisit në emër të “çrregullimit”.
Dhe në fakt, nga perspektiva e Trumpit, pikat kryesore të udhëtimit të tij jashtë vendit ishin nënshkrimi i një marrëveshje 110 miliardë dollarë armësh me Arabinë Saudite, kritikimi i vendeve të tjera anëtare të NATO-s për mos shpenzimet e mjaftueshme në ushtri dhe refuzimi i kërkesës së aleatëve të SHBA për të luftuar ngrohjen globale. Republikanët në kongres i gëzohen gjerësisht këtyre politikave të frikshme.
Ndërkohë, Trumpi dhe Kongresi i kontrolluar nga republikanët po përpiqen të nxitojnë legjislacionin që do të privonte nga kujdesi shëndetësor më shumë se 20 milionë njerëz, për të ulur taksat për amerikanët më të pasur. Buxheti i propozuar së fundmi nga Trumpi do të hiqte Medicaid-in (sigurimin shëndetësor për të varfrit), Programin e Ndihmës së Ushqimit Shtesë (ushqim për të varfrit), ndihmën e huaj (ndihmën për më të varfrit e botës) dhe financimin për Kombet e Bashkuara, si dhe shpenzimin për shkencën dhe teknologjinë. Trumpi, thënë shkurt, do të heq rropullitë e programeve federale për arsimin, trajnimin, mjedisin, shkencën civile, diplomacinë, strehimin, ushqimin dhe të tjera prioritete emergjente civile.
Këto nuk janë prioritetet që kanë shumica e amerikanëve – as që u afrohen. Një shumicë do të taksojë të pasurit, të ketë mbulim shëndetësor, të ndalojë luftërat amerikane dhe të luftojë ngrohjen globale. Sipas sondazheve të fundit, amerikanët duan me një shkallë të gjerë të qëndrojnë në Marrëveshjen Klimatike të Parisit, ndërsa Trumpi ka lajmëruar tërheqjen. Trumpi dhe të besuarit e tij po luftojnë me opinionin publik, nuk po e përfaqësojnë atë.
Ata po e bëjnë këtë për një arsye dhe vetëm një arsye: për para. Më saktë, politikat e Trumpit i shërbejnë interesave të korporatave që paguajnë fatura fushatash dhe drejtojnë efektivisht qeverinë amerikane. Ç’ka sinjifikon Trumpi është kulmimi i një procesi afatgjatë ku lobimi nga korporatat e fuqishme i ka ngritur ato drejt pushtetit. Sot, kompanitë si ExxonMobil, Koch Industries, Continental Energy, dhe kompani të tjera mega-ndotëse nuk kanë më nevojë të lobojnë; Trumpi i ka dorëzuar atyre çelësat e Departamentit të Shtetit, Agjencisë së Mbrojtjes Mjedisore dhe Departamentit të Energjisë. Ata gjithashtu mbajnë pozicione të larta në Kongres.
Shumica e parave të korporatave mund të gjurmohen; pjesa tjetër lëviz anonimisht si “para të zeza” që shmangin daljen në publik. Gjykatësit e Gjykatës Supreme të cilët shpesh kanë marrë dhurime nga korporatat i japin dritën e gjelbër për të mbajtur rrjedhën e korrupsionit sekret në vendimin e tyre famëkeq Citizens United.
Siç ka dokumentuar gazetarja investigative Jane Mayer burimi më i madh i parave të errëta është dyshja David dhe Charles Koch, të cilët trashëguan industritë shumë ndotëse Koch nga babai i tyre, një burrë historia e biznesit të të cilit përfshin ndërtimin e një rafinerie të madhe nafte për regjimin nazist të Gjermanisë. Vëllezërit Koch, me një rrjet të ardhurash së bashku prej 100 miliardë dollarë, kanë shpenzuar lirshëm për dekada për të marrë në kontroll sistemin politik amerikan, duke mobilizuar edhe korporata të tjera të djathta.
Kur vjen puna te politika e taksave dhe ndryshimi klimatik, partia republikane është thuajse plotësisht në duart e vëllezërve Koch dhe miqve të tyre në industrinë e naftës. Synimi i tyre i pavdekshëm është i thjeshtë: të ulin taksat për korporatat dhe të çrregullojnë naftën dhe gazin, pavarësisht pasojave për planetin. Për të arritur këto synime, ata janë të gatshëm të marrin miliona nga mbulimi shëndetësor për të varfrit dhe edhe më shokuese, të vënë të gjithë planetin në rrezik të ngrohjen globale. Ligësia e tyre është tmerruese, por e vërtetë. Dhe Trumpi është shërbëtori i tyre.
Përpara udhëtimit të fundit të Trumpi jashtë vendit, 22 senatorë republikanë i çuan atij një letër duke i bërë thirrje të tërheqë SHBA-në nga marrëveshja klimatike e Parisit. Thuajse të gjithë ata morën financim fushate nga industria e naftës dhe gazit. Shumica e tyre mbase varen nga donacione nga vëllezërit Koch dhe organizatat lobuese që ata financojnë në fshehtësi. Siç ka treguar Qendra për Politika të Përgjegjshme, një grup me interes politik, shpenzimi i kompanive të naftës dhe gazit mbi kandidatët federalë të zgjedhjeve 2016 arriti 103 milionë dollarë, ku 88% i shkuan republikanëve. Kjo sigurisht përfshin vetëm fondet që mund të gjurmohen te donatorët.
Pjesa tjetër e botës duhet ta kuptojë urgjentisht se çfarë është bërë Amerika. Përtej strukturave formale të demokracisë dikur funksionuese është një sistem politik i drejtuar nga interesat e korporatave me synime cinike të uljes së taksave për të varfrit, shitjes së armëve dhe ndotjes me papërgjegjshmëri. Te Trump, ato kanë gjetur një lider të paturp dhe një personalitet televiziv që do ta bëjë punën për ta.
Është tani detyra e pjesës tjetër të botës t’i thotë jo lakmisë së korporatave Amerikane dhe e vetë amerikanëve për të marrë në dorë institucionet e tyre demokratike duke hequr dorë nga paratë e errëta dhe shkeljet e korporatave. Duke marrë parasysh shumicën e vogël (52-48) të republikanëve në Senat, demokratët dhe vetëm tre republikanë të ndershëm do të ishin në pozicion të bllokojnë thuajse të gjithë axhendën Trump-Koch. Situata është kështu e riparueshme, por mbetet shumë e rrezikshme. Amerikanët – dhe bota – meritojnë shumë më shumë. /Project Syndicate/reporter.al/