Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Drejtori i Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Christopher Tuetsch, theksoi nevojën për angazhim më të madh në forcimin e institucioneve demokratike.
“Misioni ynë vlerëson hapat e mëdhenj që janë ndërmarrë në forcimin e institucioneve demokratike. Tani theksi duhet të jetë tek zhvillimi i mëtejmë i institucione efektive, llogaridhënëse dhe transparente në të gjitha nivelet. Në këtë drejtim, fokus i veçantë duhet të vendoset në sigurimin e vendimmarrjes së përgjegjshme, përfshirëse dhe pjesëmarrëse në të gjitha nivelet”, tha Tuetsch në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë në Kosovë.
Gjatë disa viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka shënuar progres në formësimin e një procesi më të hapur dhe më përfshirës të vendimmarrjes pas miratimit të rregullores për standardet minimale për procesin e konsultimeve publike.
Për më tepër, Kuvendi i Kosovës gjithnjë e më shumë ka përfshirë shoqërinë civile në dëgjime publike dhe mbledhje të komisioneve. Tani, vëmendja duhet të jetë te procedurat standarde në mënyrë që angazhimi i publikut të bëhet proces i qëndrueshëm dhe praktikë e përditshme.
“Nëse besimi në institucionet qeverisëse është i ulët, kjo ka tendencë t’i pengojë njerëzit nga angazhimi me qeverinë. Meqë besimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për suksesin e shumë politikave publike që kërkojnë bashkëpunimin dhe pajtueshmërinë e banorëve, institucionet qeveritare duhet të mbesin të hapura ndaj publikut dhe shoqëria civile duhet të jetë më aktive në rolin e saj të rëndësishëm të konsolidimit të mëtejmë demokratik. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve në nivel lokal dhe qendror të sigurojnë pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave, si dhe ta rrisin pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendimmarrjes”, shtoi Tuetsch.
“Unë do të doja të përgëzoja shoqërinë në Kosovë që shumë vite më parë vendosi ta pranojë sfidën e demokracisë. Shumë është arritur, por duhet edhe më shumë punë drejt arritjes së një konsolidimi më të fortë të normave dhe vlerave demokratike. Demokracia për nga natyra e saj nuk është statike; është sistem kompleks dhe proces që kërkon angazhim të vazhdueshëm, vigjilencë, përpjekje dhe kujdes nga të gjithë pjesëtarët dhe grupet e shoqërisë, sot dhe çdo ditë”, përfundoi Tuetsch.
Misioni i OSBE-së është i gatshëm të ofrojë mbështetje të vazhdueshme për institucionet dhe publikun në Kosovë në mënyrë që të kontribuojë për një shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse, që siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë dhe përpiqet të ndërtojë dhe mbajë institucione efektive, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet.