Site icon Telegrafi

Demiraj: Asnjë angazhim nga pushteti vendor në Krastë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka qenë pasditen e së enjtes në Elbasan, për të ndjekur nga afër situatën e zjarreve në Krastë.

Por përmes një njoftimi në Facebook, Demiraj ka kritikuar mungesën e angazhimit të pushtetit vendor, por edhe qytetarëve.

“E papranueshme. Jam në Krastë të Elbasanit dhe vetëm pak forca zjarrfikëse, të ushtrisë dhe Emergjencave Civile janë angazhuar në shuarjen e flakëve. Asnjë person nga qeveria vendore, bashkia, apo qytetarë të zonave përreth. Kjo situatë vihet nën kontroll të plotë vetëm nëse bashkëpunojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Demiraj.

Megjithatë, ministri ka rezervuar një falenderim, që shkon për kreun e Emergjencave Civile, Prençi dhe strukturat e tij.

Më herët Demiraj, po me anë të një postimi në rrjetin social Facebook deklaroi se zjarrvëniet e qëllimshme po rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Duke iu referuar rasteve të zjarreve të ditëve të fundit thuajse në çdo cep të vendit, të favorizuara edhe nga temperaturat e larta, Demiraj paralajmëroi se zjarrvënësit do të kapen dhe do të dënohen me ashpërsi nga ligji.

Exit mobile version