Site icon Telegrafi

Demi: Pjesa më e madhe e borxhit, është borxh i humbur

Falja e borxheve ndaj qytetarëve është mundësi e mirë për pastrimin e listave të borxhlinjve, pasi që një listë e tillë, po evidentohet për herë të parë në Kosovë. Kështu ka vlerësuar në një analizë politikash, Instituti GAP, duke treguar kështu se kush do të përfitojë më së shumti nga kjo falje e borxheve.
Por, sipas GAP-it, do të ishte edhe më mirë nëse listat e atyre që do të përfitojnë nga kjo falje, të bëheshin publike për të gjithë qytetarët sa më parë. Kjo për arsye që të gjithë të shohin se kujt po i falen borxhet dhe kush po përfiton nga kjo falje.

Agron Demi, nga Instituti GAP, tha se vendimi për faljen e borxheve, mundëson që institucionet publike, të cilat nuk arrijnë të arkëtojnë me kohë borxhin, të padisin personat fizikë dhe ata juridikë. Në rast se institucionet publike dështojnë në dërgimin e rasteve të borxheve në gjykata, ai borxh konsiderohet i vjetruar apo i parashkruar.

“Është një ligj i cili ka qenë në fuqi deri në vitin 2012 dhe është zëvendësuar me një ligj të ri, i cili parasheh që institucionet publike për borxhin të cilin nuk arrijnë të arkëtojnë me kohë, duhet të padisin personat fizikë dhe juridikë. Për personat fizikë duhet të paraqesin padi brenda 12 muajve nga data e krijimit të borxhit kurse për personat fizikë apo bizneset duhet ta bëjnë një gjë të tillë brenda 36 muajve. Në rast se institucionet publike dështojnë që t’i dërgojnë rastet e borxheve në gjykata, pas një viti për personat fizikë dhe pas 36 muajve apo 3 viteve për personat juridikë, ai borxh konsiderohet i vjetruar dhe nuk mund të arkëtohet në procese gjyqësore apo konsiderohet si borxh i parashkruar”, tha Demi.

Demi theksoi se shifra prej 670 milionëve që pretendohet se Ministria e Financave e falë, në të vërtetë është shumë më e vogël. Rast konkret për këtë gjë, GAP ka treguar se në KEK, 346 milionë sa është borxhi total, vetëm 60 milionë apo 17 për qind e këtij borxhi do të falet.

“Kjo shifër prej 670 milionëve që Ministria e Financave pretendon se do ta falë, në fakt është shumë më e vogël. Po e marrim vetëm një shembull, prej të dhënave që kemi marr prej KEK-ut, prej borxhit total 346.3 milionë euro, vetëm për 60 milionë euro apo vetëm 17 për qind të këtij borxhi KEK-u ka dërguar padi në gjykatë. Përveç KEK-ut, qytetarët kanë një shifër të madhe të borxhit edhe në kompanitë rajonale të ujësjellësit, apo në total është 48 milionë euro,ku pjesa më e madhe e këtij borxhi është nga kompania rajonale ‘Prishtina’, për shkak se ka konsumatorë më të mëdhenj. Pas kompanive rajonale të ujësjellësit, vijnë kompanitë rajonale të mbeturinave, ku qytetarët dhe bizneset i kanë 23.3 milionë euro…krejt në fund është borxhi ndaj Administratës Tatimore, ku bizneset aktive dhe pasive i kanë borxh total prej 168.8 milionë euro”, shto i Demi.

Sipas Institutit GAP, nuk ka arsye për frikë tek qytetarët se borxhi më i madh, po u falet kompanive të mëdha, pasi që kompanitë e mëdha në këto borxhe, përfaqësojnë vetëm 1 për qind e borxhit total. 82 për qind e borxhit gjithsej, është nga amvisëria apo ekonomitë familjare, 16 për qind nga bizneset e vogla kurse 1 për qind është borxh i institucioneve publike.

Borxhi ndaj kompanive rajonale të ujësjellësit (KRU) është rreth 48 milionë euro. Ndërsa, borxhi ndaj kompanive rajonale të mbeturinave (KRM) është rreth 23.4 milionë euro. Kompania me nivelin më të lartë të borxhit është KRM “Prishtina”, kjo për shkak të numrit të konsumatorëve. Kurse, borxhi total ndaj ATK-së deri në fund të vitit 2008 është 168.6 milionë euro. Pjesën më të madhe të këtyre borxheve apo 88 për qind e zënë bizneset aktive. /Telegrafi/

Exit mobile version