Telegrafi

Demi: Pasuria shoqërore në pronësi të politikanëve

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe atyre publike nuk ka qenë transparent. Kjo ka bërë që edhe në menaxhimin e tyre e më vonë në privatizim të kenë fjalën kryesore partitë politike, ish-komandantë të UÇK-së dhe individë të ndërlidhur me biznese të dyshimta, thotë drejtori i Institutit GAP, Agron Demi.

Pas procesit të privatizimit, sipas tij, pasuria shoqërore nga menaxhimi i politikanëve kaloi në pronësi të tyre.

Ka thënë se, përveç mungesës së transparencës, procesi i privatizimit ka qenë kriminal në disa raste për shkak të kërcënimeve, tërheqjes së ofertuesve dhe blerjes së pronave nga persona që nuk e kanë merituar. Ka folur edhe për dështimin e procesit të privatizimit të PTK-së.

“Në rastin e PTK-së, ish-ministri i MZHE-së do të duhej të mbahej përgjegjës penalisht për dëmet financiare të shkaktuara në tërë këtë proces”, ka thënë Demi,në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Përfshirja e hidrocentraleve në proces të privatizimit për të tregon papërgjegjësinë e ministrave dhe për shkeljet ligjore që janë bërë në këtë proces. Demi ka folur edhe për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen me asetet që potencialisht mund të jenë objekt i privatizimit..