Site icon Telegrafi

Demi Moore zbulon rolin që e “frikësoi”, në intervistëne ‘Hot Ones’

Në një paraqitje të veçantë në emisionin ‘Hot Ones’ gjatë ditëlindjes së saj të 62-të, Demi Moore ndau një moment reflektues për karrierën e saj, duke zbuluar se thrilleri romantik i vitit 1990, “Ghost”, ishte një nga rolet më sfiduese për të si një aktore e re.

Aktorja, e njohur për interpretimet e saj të fuqishme, tregoi se graviteti emocional i rolit të Molly Jensen – një grua që përjeton humbjen tragjike të partnerit të saj Sam Wheat (luajtur nga Patrick Swayze) – e trembi fillimisht.

“Pa dyshim, “Ghost” më frikësoi jashtë mase”, tha Moore për prezantuesin Sean Evans, ndërsa hante krahë pule pikantë në skenën ikonike të emisionit.

“Për një aktore të re, të përballesh me dhimbjen dhe pikëllimin e humbjes së një partneri ishte jashtëzakonisht e rëndë. Madje, vetëm gjatë leximit të skenarit, ndjeva një mbingarkesë emocionale për atë që do të më duhej të portretizoja.”

Një nga momentet më të paharrueshme nga filmi ishte skena ku Demi shpërthen në lot, Duke folur për këtë skenë, ajo theksoi: “Nuk ishte e planifikuar. Nuk kisha kontroll mbi të; thjesht ndodhi. Kjo më ndihmoi të kapërcej një pengesë personale, por emocionalisht, të jesh i pambrojtur në një nivel të tillë nuk është kurrë e lehtë.”

Moore gjithashtu ndau mendimet e saj për mundësinë e një ribërje të Ghost. Aktori Channing Tatum dhe kompania e tij e produksionit, Free Association, kanë fituar të drejtat për këtë film klasik, dhe gjatë një interviste në Festivalin e Filmit në Kanë 2024, Moore komentoi:
“Shikoni, çdo histori në një mënyrë ose tjetrën është thënë tashmë. Gjëja e bukur është mënyra se si mund të riinterpretohet. Ka disa filma që ndoshta duhet të lihen ashtu siç janë, por ndonjëherë, ka surpriza të mrekullueshme në këto përpjekje.”

Megjithëse Tatum ende nuk ka kontaktuar me të lidhur me projektin, Moore beson se ai ka talentin për të sjellë një version të suksesshëm të filmit, duke e përfunduar mendimin e saj me shpresë për një ribërje që do të ruajë thellësinë emocionale të origjinalit. /Telegrafi/

Exit mobile version