Site icon Telegrafi

Demi Lovato flet për herë të parë pas mbidozës me drogë

Demi Lovato (Foto: Getty Images)

Ylli i muzikës pop, Demi Lovato, iu është drejtuar fansave për herë të parë që nga mbidoza me droga në muajin e kaluar.

“Gjithmonë kam qenë transparente në lidhje me vartësinë time. Ajo që kam mësuar është se kjo sëmundje nuk është diçka që zhduket ose venitet me kohën. Është diçka që duhet të vazhdoj ta mposht dhe nuk e kam bërë akoma”, ka shkruar 25-vjeçarja në profilin e saj në Instagram.

Demi Lovato (Foto: Getty Images)

Lovato ishte dërguar me urgjencë në spital më 24 korrik, ndërsa më pas u raportua se i ishte kthyer vetëdija dhe ishte në gjendje të qëndrueshme.

Deri më tani nuk është bërë i ditur lloji i drogës që ka përdorur këngëtarja, pasi vet ajo ka refuzuar të tregojë.

Lexo po ashtu Lajmet për Demi Lovato

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Demi e ka falënderuar Zotin, fansat, familjen, ekipin e saj dhe stafin mjekësor në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Angeles.

“Tash më duhet kohë të shërohem dhe të përqendrohem në vetëpërmbajtjen time dhe në rrugën drejt riaftësimit. Do të vazhdoj të luftoj”, ka thënë mes tjerash ajo.

Këngëtarja qe një kohë të gjatë ka probleme me vartësinë, ka një çrregullim të ushqyerjes dhe është bipolare (vuan nga psikoza maniako-depresive).

Në të kaluarën, ajo ka treguar se e kishte përdorur kokainën shumë e re, qëkur ishte yll i Disneyt.

Pritet që Demi të shtrohet në ndonjë qendër rehabilitimi për ta tejkaluar vartësinë e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version