Rohelio Rodrigo, 71-vjeç, mbeti i vdekur në vend kur demi e goditi me brinjë në gjoks gjatë festivalit lokal me dema në qytetin spanjoll Herici.
Ky burrë humbi jetën gjatë festivalit të njohur si “toro embolado” apo “demi me topa të zjarrtë në brinjë”, ku demi me disa toptha të zjarrtë në brinjë vrapon nëpër rrugë, kurse kalimtarët e rastit duhet me çdo kusht ta shmangin kontaktin me të, transmeton Telegrafi.
Demi po vraponte nëpër sheshin e qytetit dhe befasisht goditi burrin që ia kishte kthyer shpinën, dhe shumë vonë e kuptoi që e kishte afër. Si rezultat i goditjes së fortë u rrëzua pa ndjenja në rrethojnë mbrojtëse, ku nga topthat që i kishte në brinjë burri mori flakë.
Megjithatë edhe pse qindra spektatorë që ishin afër viktimës u munduan ta ndihmojnë dhe madje e dërguan me urgjencë në spital, por aty është konstatuar se ka ndërruar jetë. Si rezultat i këtij incidenti të kobshëm, festivali është ndërprerë nga autoritetet lokale. /Telegrafi/