Telegrafi

Demhasaj: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzoi vijat e kuqe të partive politike

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Çohu, Arton Demhasaj thotë se vijat e kuqe nuk aplikohen në asnjë vend demokratik perëndimor.

Demhasaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Presidenti nuk ka mundur ta shpërndajë Kuvendin pasi sipas tij në mocionin e mosbesimit subjektet kanë shprehur vullnet që pas rrëzimit të qeverisë të krijojnë një qeveri të re.

Ai thotë se Vetëvendosje në vitin 2014 ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin VLAN që ishte edhe në dëm të kësaj partie.

“Vetëvendosje e ka në plan programin e saj shtetin e së drejtës, shtetin demokratik. Për aq kohë sa e kanë kryefjalë të tyre shtetin ligjor e demokratikë duhet ta pranosh një vendim të tillë dhe jo ta kontestosh”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Demhasaj thotë se Vetëvendosje në katër-pesë vitet e fundit kanë dhënë kontribut më të madh ndoshta se partitë tjera për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

“Veprimet e tyre që mund të pasojnë për të kontestuar këtë vendim do të zbeh kontributin e tyre për të ndërtuar shtetin ligjor”.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Çohu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë me dije se subjekti i parë nuk mund të vonojë pafundësisht dërgimin e emrit të mandatarit.

“Gjykata Kushtetuese më ketë vendim ka thënë se i pari nuk mund të sillet si “cowboy” dhe të thotë bëni si të them unë por duhet të sillet me mirësjellje shumë të madhe ndaj subjekteve tjera politike me kushte që të mund ta formojë shumicën parlamentare”.

Demhasaj thotë se më këtë vendim nuk kanë më kuptim vijat e kuqe pasi sipas tij ato janë shpikur në Kosovë.

“Partitë politike nuk mund të përmendin më vija të kuqe në fushatë parazgjedhore pasi do të kenë nevojë pas zgjedhjeve për koalicione”, tha ndër të tjera Arton Demhasaj./Telegrafi/