Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” tha se zyrtarët qeveritarë më shumë po udhëtojnë për të marrë mëditje se sa për punë shtetërore.
“Nuk ka nevojë një delegacion i tillë të marrin pjesë më tepër se 40 persona kur dihet se aty kanë qenë udhëheqësit më të lartë të shtetit si presidenti, kryeministri etj., por një pjesë e njerëzve që marrin pjesë aty më shumë shkojnë për mëditje, edhe pse pas disa ndryshimeve mëditjet janë zvogëluar”.
Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se brenda institucioneve tona zhvillohet një luftë se kush do të merr pjesë në delegacione.
“Brenda institucioneve tona zhvillohet një luftë e brendshme se kush do të merr pjesë në delegacione për shkak të mëditjeve që ata marrin në këtë udhëtime”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Demhasaj ka thënë se mund të jetë e tolerueshme që të tentohet takimi me vende që nuk e kanë pranuar Kosovën, por sjellja e Pacollit është e pa tolerueshme.
“Nuk është e tolerueshme kur Ministri i Jashtëm vrapon në një sallë për t’i dhënë dorën presidentit të SHBA-ve, e aq më tepër kur në Kosovë ky shtrëngim duarsh shitet si takim. Kjo nuk duhet të tolerohet dhe nuk duhet ndodh më nga ndonjë zyrtar Kosovës”.
Analisti ka thënë se lidhjet e Pacollit si biznesmen edhe mund t’i ndihmojnë lobimit për njohje të reja, por publikimi i këtyre takimeve ishte një gabim.
“Lobimi i tij ka qenë më i suksesshëm kur nuk ka qenë në politikë”, tha Demhasaj./Telegrafi/