Arton Demhasaj nga organizata jo qeveritare “ÇOHU”, në emisionin “Debat D Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se partitë politike po i ruajnë ‘bateritë’ për të intensifikuar fushatën në javën e fundit, ndërsa ka numëruar disa prej premtimeve të parealizueshme, që po bëjnë kandidatët për kryetar komunash.
“Kemi raste kur kandidatët premtojnë se do të ulin notën mesatare në për dhënien e bursave. Ndërsa, dihet se kjo është një rregull në nivel të universitetit. Pastaj, kemi një premtim që do të investohen 30 milionë euro për sistemin e ujitjes në Rahovec. Njësoj edhe në Prishtinë, kryetari i tanishëm po premton ndërtimin e spitalit, premtim të cilin e kishte bërë edhe në fushatën e kaluar. Ndërsa, Abrashi po premton punësimin e 30 mijë personave në Komunën e Prishtinës”, tha Demhasaj, për RTV Dukagjini, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se intensiteti i fushatës do të shtohet në pjesën e fundit.
“Partitë janë të rezervuara dhe nuk duan t’i shpenzojnë bateritë qysh në start. Java e fundit e fushatës do të ketë tubime nëpër komuna të mëdha, ku do të marrin pjesë liderët e partive”, tha ai.
Këto komente Demhasaj i ka bërë në emisionin “Debat Plus”, ku është debatuar për dy javët e para të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. /Telegraf/