Site icon Telegrafi

Dëmet në bujqësi, Peci: Janë kompensuar mbi 3,500 fermerë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton se nga kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore kanë përfituar 3,530 fermerë nga të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas njoftimit, brenda katër muajve janë ndarë 3 milionë euro për këtë çështje.

“Me miratimin e propozim vendimit, kemi mundësuar që brenda katër muajve buxheti për kompensimin e dëmeve në bujqësi e blegtori të arrijë vlerën prej 3 milionë euro. Nga ky buxhet, me 1.3 milion euro që rrjedhin nga propozim vendimi i parë kemi kompensuar 1070 fermerë përfitues për periudhën kohore korrik – dhjetor 2020, ndërkaq me 1.7 milion të aprovuara sot do të kompensojmë 2,460 fermerë përfitues për periudhën kohore janar – tetor 2021”, ka thënë ministri Faton Peci.

Po ashtu, ai ka treguar se është aprovuar edhe pakoja prej 19 projektligjeve që kanë për qëllim realizimin e objektivave për të përmirësuar qasjen në bujqësi.

“Këto projektligje kanë për qëllim që t’i adresojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e autoriteteve përkatëse në Ministri, duke vendosur kështu ligjshmërinë dhe drejtësinë, në harmonizim të plotë me zbatimin e sanksioneve kundërvajtëse në bujqësi”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version