Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka publikuar rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024).
Sipas ASK-së, në bazë të rezultateve të para përfundimtare, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, numër ky që ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011.
Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, ka paraqitur edhe të dhënat lidhur me numrin e të vrarëve në luftë, gjatë vitit ’98 deri në qershor të ’99, dëmet e luftës etj.
Nga të dhënat del se gjatë luftës ’98 deri në qershor 99 janë vrarë 11.417 persona, ndërkaq të zhdukur 1.047.
“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjarë të prekura janë 154 mijë e 272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, është vlerësuar mbi 5 miliardë euro”, tha ai, raporton Telegrafi.
Sipas tij, kjo nënkupton se gati më shumë se gjysma e ekonomive familjare janë prekur nga lufta.
Ai potencoi se ASK vlerëson se për këto ka nën raportim pasi një pjesë e qytetarëve që kanë pësuar gjatë luftës mund të jenë jashtë vendit.
Referuar të dhënave të ASK-së nga regjistrimi i 2024-së, nga shkurti ’98 deri në qershor ’99 vlerësohet se janë plagosur 6.682 persona, janë burgosur 3312.
Kastrati tutje tha se shifra alarmante janë ato në kategorinë tjera, ku përfshihen dhuna, tortura, pasoja psikologjike e që janë 193.765
“Për herë të parë Kosova ka zbatuar një modul me disa pyetje për dëme e luftës gjatë vitit 98/99. Këto të dhëna do t’i shërbejnë institucioneve”, tha ai. /Telegrafi/