Deputeti i AAK-së dhe ish anëtari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së, Shkumbin Demaliaj ka thënë se luftëtarëve të lirisë në përgjithësi ditëve të fundit po u bëhet nga makth i vërtet.
Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se sabotimi i detyrës nga Elez Blakaj duhej të ishte i mjaftueshëm për të, që të mos përzihet më në punën e prokurorisë për listat e veteranëve.
“Publikimi i listave të veteranëve me të gjitha të dhënat personale është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe privatësisë. Nëse dikush bën padi, shtetit të Kosovës do t’i kushtojë shumë shtrenjtë”.
Deputeti i AAK-së ka thënë se Blakaj mund t’i ketë shitur listat që janë publikuar në media.
“Përgjegjësitë i ka marrë prokuroria për ato që kanë ndodhë këto ditë me disa lista, por unë dyshoj se edhe ai në një far forme i ka shitur ato materiale te mediat, nuk i di përfitimet e tija”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai ka thënë publikimi i këtyre listave ka shkaktuar kaos të madh në Kosovë.
“Edhe disa agjencione të ndryshme po përpiqen t’i frikësojnë këta persona që u kanë dalë emrat në media”, tha ndër të tjera Demaliaj.
“Duhet të ketë patjetër ndjekje penale për z.Blakaj dhe ata që i kanë publikua këto lista”, tha ai./Telegrafi/