Sonte në emisionin “#Hashtag” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini është diskutuar për mobilizimin masiv të shqiptarëve në ndihmë të prekurve nga tërmeti tragjik.
Publicisti Daut Demaku ka thënë se shqiptarët janë solidarë është dëshmi edhe figura e Nënës Terezë që ka dalë nga gjiri i këtij populli.
Demaku duke folur për debatin nëse po keqpërdoren ndihmat që po dërgohen në zonat e krizës, ka thënë se i jep drejtë Edi Ramës se vetëm ndihmat financiare mund të kontrollohen.
Ai thotë se në kohë emergjente si është ajo e Shqipërisë ndihmat në rroba apo gjëra tjera janë vështirë të menaxhueshme nga strukturat shtetërore pasi sipas tij gjithë aparatura e shtetit është e orientuar në shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Publicisti duke folur për lajmet e rreme që kanë shkaktuar panik pas tërmetit, ka thënë se në raste lufte apo krizash zakonisht ndërpriten të gjitha burimet e informacionit pos atij zyrtar-shtetëror.
Demaku thotë se edhe në Shqipëri për të evituar gjithë këtë situatë kaotike të krijuar “nuk do të ishte gabim edhe të shkelej pak demokracia e të ndërpriteshin burimet e lajmeve”.
Nga ana tjetër autori i emisionit “Një kafe me Labin”, Labinot Gashi po ashtu panelist në emision, duke folur për mobilizimin e shqiptarëve pas tërmetit ka thënë se një dukuri jo e mirë që ka vërejtur ishte postimi i ndihmave të dhuruara në rrjete sociale./Telegrafi/