Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Frashër Demaj thotë se deri të premten LDK nuk do të japë përgjigje sa i përket mundësisë për të qëndruar apo jo në sallë kur votohet presidenti i ri.
“Aktualisht nuk e kemi një qëndrim të qartë se cili do të jetë veprimi politik dhe çfarë do të bëjë LDK në momentin kur të votohet presidenti i ri”, tha ai në “Debat Plus”.
Demaj ka thënë se në LDK janë dy mendime të ndryshme në lidhje me atë se duhet apo jo t’i bëhet kuorumi Vjosa Osmanit.
“Kemi dy mendime “pro et kontra” nëse LDK duhet t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente. Mendimi i parë është se edhe kësaj radhe LDK-ja duhet të sakrifikojë për institucionet e Kosovës sepse gjithmonë ka bërë sakrificë. Mendimi tjetër është se LDK duhet të bëjë politikë e cila shkon në favorin e saj sepse mjaft ka sakrifikuar për institucionet e Kosovës dhe për subjektet tjera”, shtoi ai, përcjell Telegrafi.
Ish-deputeti i LDK-së thotë se partia ka sakrifikuar kur është detyruar të hyjë në koalicion me PDK-në në të kaluarën.
“Pa atë koalicion vendi do të mbetej pa institucione në atë kohë”, ka thënë ndër të tjera Frashër Demaj./Telegrafi/