Historiani dhe deputeti i LDK-së në Kuvend, Frashër Demaj në “Personale” në RTV Dukagjini ka folur për rrugëtimin e Kosovës deri në arritjen e shtetësisë.
Demaj ka thënë se ishte e vështirë të mendohej se Kosova mund të çlirohej pa luftë.
“Kosova nuk mund të çlirohej pa luftë. Mirëpo ishte më rëndësi të kombinoheshin elementet politike dhe ushtarake. Pa kombinimin e këtyre elementeve që ishin vlera të shqiptarëve edhe liria e shqiptarëve nuk do të vinte dhe lufta nuk do të kishte rezultat”.
“…Të mos mashtrohen njerëzit se një periudhë e caktuar është më e rëndësishme se një tjetër në histori. Të gjitha janë shumë të rëndësishme. Jam i bindur se po të mos ishte rezistenca aktive paqësore, sensibilizimi dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, atëherë Kosova do të luftonte me vite e dekada dhe s’do të realizonte interesat e saj. Edhe anasjelltas. Asnjëherë Kosova nuk do të çlirohej vetëm me politikë paqësore, pasi serbët nuk ishin anglezë. Ata kishin një regjim të pa civilizuar i cili kishte një qëllim që mundoheshin ta realizonin me masakra e dëbime të shqiptarëve”.
Historiani thotë se është shumë pozitive që megjithë dallimet faktori shqiptar u bashkua në Rambuje dhe mori rezultatin e pritur për ndërhyrje nga NATO./Telegrafi/