Telegrafi

Demaj: Fuqia e Jugosllavisë i pengonte SHBA-së, pakënaqësia e shqiptarëve ishte moment i mirë për fillimin e shpërbërjes

Historiani dhe tashmë deputeti i LDK-së në Kuvend, Frashër Demaj në “Personale”  në RTV Dukagjini ka folur për rrugëtimin e Kosovës deri në arritjen e shtetësisë.

Demaj tregon se në vitin 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë edhe Kosova ishte pjesë e saj si një prej 4 vilajeteve.

Ai thotë se gjërat ndryshuan me Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 kur shtetet e mëdha kishin interesa të ndryshme dhe Shqipërinë e shihnin me kufi të ndryshëm.

Megjithatë historiani thotë se përpjekjet shqiptarëve të Kosovës për ribashkim me Shqipërinë nuk u ndalen dhe ato u shtruan edhe në Konferencën e Paqes në Paris.

“Por aty nuk u morën parasysh ato kërkesa pasi shqiptarët nuk shiheshin si popuj që kishin fuqi”.

Demaj thotë se politika e Serbisë sidomos me Reformën Agrare kishte për qëllim së paku largimin e gjysmës së popullsisë së Kosovës në mënyrë që më pas pjesë tjetër do të ishte më lehtë për t’u asimiluar.

Historiani ka folur edhe për rolin e SHBA-së për të përkrahur shqiptarët e Kosovës në kauzën e tyre.

Ai thotë se SHBA dhe shtetet tjera e shihnin Jugosllavinë si një shtet që duhet të shpërbëhej për shkak të ndikimit të saj.

“Jugosllavia kishte formuar lëvizjen e saj botërore të të painkuadruarve. Ajo edhe me fuqinë ushtarake, politike apo gjeostrategjike përbënte cenim të interesave të SHBA dhe shteteve kryesore të BE-së”.

Demaj thotë se pakënaqësia e shqiptarëve në Kosovë ishte një moment i mirë për të nxituar fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai thotë se SHBA në Konferencën e Ambasadorëve në Londër nuk kishte fuqi për të ndihmuar shqiptarët.

“SHBA doli e fuqishme vetëm pas Luftës së Parë Botërorë”, tha ndër të tjera Frashër Demaj./Telegrafi/