Historiani dhe tashmë deputeti i LDK-së në Kuvend, Frashër Demaj në “Personale” në RTV Dukagjini ka folur për rrugëtimin e Kosovës deri në arritjen e shtetësisë.
Demaj tregon se në vitin 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë edhe Kosova ishte pjesë e saj si një prej 4 vilajeteve.
Ai thotë se gjërat ndryshuan me Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 kur shtetet e mëdha kishin interesa të ndryshme dhe Shqipërinë e shihnin me kufi të ndryshëm.
Megjithatë historiani thotë se përpjekjet shqiptarëve të Kosovës për ribashkim me Shqipërinë nuk u ndalen dhe ato u shtruan edhe në Konferencën e Paqes në Paris.
“Por aty nuk u morën parasysh ato kërkesa pasi shqiptarët nuk shiheshin si popuj që kishin fuqi”.
Demaj thotë se politika e Serbisë sidomos me Reformën Agrare kishte për qëllim së paku largimin e gjysmës së popullsisë së Kosovës në mënyrë që më pas pjesë tjetër do të ishte më lehtë për t’u asimiluar.
Historiani ka folur edhe për rolin e SHBA-së për të përkrahur shqiptarët e Kosovës në kauzën e tyre.
Ai thotë se SHBA dhe shtetet tjera e shihnin Jugosllavinë si një shtet që duhet të shpërbëhej për shkak të ndikimit të saj.
“Jugosllavia kishte formuar lëvizjen e saj botërore të të painkuadruarve. Ajo edhe me fuqinë ushtarake, politike apo gjeostrategjike përbënte cenim të interesave të SHBA dhe shteteve kryesore të BE-së”.
Demaj thotë se pakënaqësia e shqiptarëve në Kosovë ishte një moment i mirë për të nxituar fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ai thotë se SHBA në Konferencën e Ambasadorëve në Londër nuk kishte fuqi për të ndihmuar shqiptarët.
“SHBA doli e fuqishme vetëm pas Luftës së Parë Botërorë”, tha ndër të tjera Frashër Demaj./Telegrafi/