Jo për të thënë diçka të rëndësishme, por për ta bërë kureshtar lexuesin apo për të “,vjedhur" një "like" prej tij, shumë nga mediat tona elektronike në faqet e para të tyre publikojnë tema me tituj shumë bombastik, por që në veten e tyre nuk ngërthejnë asgjë interesante dhe të kohës. Ato zakonisht kanë autorët e njëjtë, “të njohur”, e që të tillë u bën jo me analiza e ide që i sjellin dobi vendit apo qytetarit, por me ide boshe, shpeshherë të dëmshme, të dhimbshme, të ndyta dhe me një fjalë të panevojshme.
Temat e përditshme që trajtohen janë kryesisht tema që e rëndojnë qytetarin. Ato kanë të bëjnë me fenë, politikën ose kombin (nacionalizmin).
Ndonëse asnjëherë feja nuk ka qenë problem për shqiptarët e besimeve të ndryshme, mediat kanë qenë ato që iu kanë dhënë hapësirë individëve të caktuar, të cilët për qëllime të caktuara kanë nxitur dhe po vazhdojnë të nxisin urrejtjen ndërfetare te shqiptarët, ani pse nuk po kanë sukses në këtë drejtim. Këtë e dëshmon toleranca e lartë ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Por, nëse gjendjen e vlerësojmë duke u bazuar në shkrimet e përditshme në media, secili do të vinte në përfundim se problemi më i madh që e paskan shqiptarët në Kosovë na qenka feja, e që realisht ky problem as që ekziston.
Sa për politikën nuk ka nevojë të flitet shumë, sepse secili po jetojmë me pasojat e politikës. Jemi më të varfrit në Evropë, jemi të vetmit pa liri të lëvizjes…
Korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi dhe shumë dukuri negative përbëjnë faqet e para të mediave, e edhe të raporteve të ndryshme ndërkombëtare. Por, duke e parë politikën si një biznes fitimprurës, shumë lakmitarë të pushtetit me javë të tëra na patën lodhur duke e kërkuar votën.
Ah, nacionalizmi! Me këtë i kemi punët mirë, por jo çdo ditë. Kemi ditën e caktuar kur duhet të jemi patriotë të gjithë. Është pra 28 Nëntori kur secili identifikohet me flamurin kuqezi, kur secili ndihet shqiptar i vërtetë, të paktën nga jashtë. Por, çka pas?! Mos të harroj se ka të atillë që në emër të flamurit dhe 28 Nëntorit, me këtë datë hapin “zemrat” e tyre – kuletën e shtetit – dhe festojnë si është më së miri.