Telegrafi

Demaçi: Takim për shtrëngim duarsh dhe “syreta”

Demaçi nuk është optimist se në takimin e nesërm në Bruksel, mes presidentes Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikolic do të ketë diçka serioze.

“Nuk pres asgjë, bash asgjë nga ky takim, pos një shtrëngim duarsh apo ndërrim kartëvizitash dhe ndonjë syret aty-këtu, sepse Serbia nuk lëshon pe asgjë. Beogradit i duhen këto takime për ta nxituar procesin e rrugëtimit të saj drejt BE-së”, tha Demaçi, për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”.

Ai ka thënë se ky takim do të kishte kuptim nëse presidenti serb paraprakisht do tui kërkonte falje shqiptarëve të Kosovës për krimet e Serbisë të kryera mbi ta.

“Nëse nesër presidentja e Kosovës Jahjaga kërkon nga Nikolic, që ai, sikur Tadic në Srebrenicë, t’i kërkojë falje populli shqiptar në Kosovë për krimet dhe masakrat dhe nëse kërkohet po ashtu që Beogradi të ndal politikën diskriminuese ndaj vëllezërve tanë në Preshevë, atëherë ky takim mund të thuhet se është serioz. Kjo do të dëshmojë se Serbia është e interesuar për fqinjësi të mirë dhe nuk e ka hallin që të takojë presidenten tonë për interesa të Beogradit, me qëllim të përshpejtimit të proceseve integruese të Serbisë drejt BE-së”, ka thënë Demaçi. /Telegrafi/