Telegrafi

Delonte West, nga bashkëlojtar me LeBron James në NBA dhe fitime prej 16 milionëve dollarëve, sot lypës në rrugë dhe me probleme psikike

Ish-lojtari i NBA, Delonte West, po bën një jetë prej lypsari tash e sa kohë, ku flitet se pasuria e tij milionëshe është harxhuar.

Ish-lojtari i Celtics, Cavaliers dhe Mavericks, ishte kthyer në lajm kryesor kur u publikua një video e tij në të cilën po goditej në mes të rrugës ku pastaj prangoset, tani është publikuar një foto e re ku shihet gjendja e tij alarmante.

Fotografia tregon se ish-lojtari, i cili fitoi 16.2 milion dollarë në nëntë sezone në NBA, tani duket i pastrehë dhe kërkon të holla në një semafor në Dallas.

Ky imazh konfirmon rënien përfundimtare të ish-shokut të skuadrës së LeBron James te Cleveland Cavaliers.

West, tani 36 vjeç, erdhi në NBA nga St. Joseph dhe u zgjodh nga Boston Celtics si Nr.24 në draftin e vitit 2004 .

Ai luajti 432 ndeshje në kampionatin më të mirë në botë, duke shënuar mesatarisht 9.7 pikë; 3.6 asistime dhe 2.9 kërcime para se të përfundonte karrierën e tij në vitin 2012.

LeBron James e Delonte West (Foto: Gregory Shamus/Getty Images)

Ish-lojtari, i cili vuan nga çrregullimi bipolar, tashmë ka qenë protagonist i skandaleve të ndryshme edhe si lojtar.

Për shembull, në vitin 2009 ai u arrestua pasi mbante armë të shumta, ndërsa në vitin 2012 ai u gjobit nga NBA për nguljen e gishtit në veshin e Gordon Hayward në ndeshjen mes Mavericks dhe Jazz.

Në vitin 2010, emri i tij u bë përsëri tituj gazetash, pasi u përfol se ai ishte në lidhje me Gloria James, nënën e ish-shokut të tij të skuadrës së Cavaliers, LeBron James.

Ndërsa në vitin 2016 u pa një tjetër imazh i tij duke lypur në rrugë, gjë që alarmoi të gjithë për gjendjen e ish-lojtarit.

Në atë kohë vetë West siguroi se ai nuk ishte i pastrehë dhe se po ndihmonte një person të pastrehë, por i pranoi problemet e tij mendore dhe mënyrën se si ai po përpiqej të ‘luftonte’ me demonët që vazhdojnë të përcjellin në çdo cep. /Telegrafi/