Telegrafi

Delegatët kërkojnë anulimin e zgjedhjeve të KOK-ut

12 delegatë të Asamblesë së Komitetit Olimpik të Kosovës, do ta dorëzojnë sot në Ministrinë e Sportit kërkesën për anulimin e procesit zgjedhor dhe mbledhjes së Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut, të mbajtur më 21 dhjetor 2016.

Këtë e ka bërë të ditur Durim Berisha, delegati i Federatës së Mundjes, që mori pjesë në Asamblenë Zgjedhore të fundit të KOK-ut, ku ishte më i zëshmi, shkruan Zëri.info.

Ai do ta dorëzojë lëndën në MKRS së bashku me kryetarin e Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku dhe kryetarin e Federatës së Kick-Boxit të Kosovës, Fatmir Makolli.

“Së bashku kemi evidentuar një numër të madh të shkeljeve esenciale të rëndësisë absolute të Ligjit për Sport, udhëzimeve administrative të MKRS-së, Kartës Olimpike, Statutit dhe Rregullores së Punës së Asamblesë Zgjedhore të KOK. Shkelje këto që e bëjnë këtë proces absolutisht të pavlefshëm”, ka shkruar Berisha, sipas së cilit, kjo është instanca e parë që i drejtohet kjo kërkesë, duke paralajmëruar se lënda në të ardhmen mund të shkojë edhe në CAS.