Delegacionet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 4 shtator në Uashington të SHBA-ve.
Një delegacion i Beogradit i udhëhequr nga presidenti, Aleksandar Vuçiq po udhëton sot drejt kryeqytetit amerikan për një takim me përfaqësuesit e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, të planifikuar nga Richard Grenell, i dërguari special i SHBA-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Përveç Vuçiqit, Beogradi do të përfaqësohet në takim nga drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, Ministri i Financave, Sinisha Mali si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Çadezh.
Ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë nga Kosova do të jenë kryeministri Avdullah Hoti, zv. kryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi, Arban Abrashi, Meliza Haradinaj-Stublla si dhe shefja e kabinetit Ardita Dushi.
Ndryshe, Grenell ka pohuar se dy shtetet do të bisedojnë rreth disa marrëveshjeve ekonomike. /Telegrafi/