Site icon Telegrafi

Delegacioni i LDK-së nderon të rënët në Betejën e Koshares, Abdixhiku: Kosharja është detyrim shërbimi ndaj atdheut

Në përvjetorin e 25-të të Betejës së Koshares, delegacioni i LDK-së i prirë nga kryetari Lumir Abdixhiuku, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, duke kujtuar të rënët e saj.

Abdixhiku derisa ka kujtuar gjithë të rënët për liri, ka thënë se sakrifica e tyre është për obligim që të ndërtohet një e ardhme më e mirë për gjeneratat e ardhshme.

“Një çerek shekulli nga beteja e madhe e Koshares. Sot, me të gjallët triumfalistë, nderuam të rënët e përjetësisë. 25 vite më parë, në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare, nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar. Me këtë akt, ata nisën dhe një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të. Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët”.

“Sot, nderojmë gjithë të rënët; falënderojmë gjithë të gjallët. Sot, kujtojmë të 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë, na kujtojnë se sa rëndë peshon liria, se mbi çfarë sakrifice të shtrenjtë të djemve e vajzave të UÇK-së – gjeneratat e sotme e përjetojnë shtetësinë.
Sot, kujtojmë dhe nderojmë po ashtu francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tha se “Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”.

Ndërsa, ish-komandanti në Betejën e Koshares, Anton Quni theksoi se një ndër veçoritë e kësaj beteje, apo pjesëmarrësve në këtë betejë është pjesëmarrja e burrave dhe grave nga gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata.

“Një ndër veçoritë e kësaj beteje, apo pjesëmarrësve në këtë betejë është pjesëmarrja e burrave dhe grave nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata. Pa marrë parasysh gjeneratave, profesioneve, regjioneve, besimeve. Me të vërtetë është një ditë e veçantë sot, kur pas 25 viteve po me të njëjtat parime nga të gjitha trojet po ashtu shumë bashkëvendës tonë nga mërgata pa marrë parasysh ideologjinë, partitë politike, sërish jemi bashkë. Është ditë që duhet shënuar dhe kujtuar çdoherë”, ka theksuar Quni.

Homazhe ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se në këtë betejë janë vrarë shumë luftëtarë të zotë. /Telegrafi/

Exit mobile version