Site icon Telegrafi

Delegacioni i Kosovës avokon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Delegacioni i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ndodhet në Strasburg të Francës për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Kuvendit të Kosovës.

Në delegacionin e kryeparlamentarit Konjufca janë dhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, në cilësinë e kryesueses së delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, Arjana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, si dhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti.

“Ky delegacion përfaqëson përkushtimin e spektrit politik të Kosovës për të arritur anëtarësimin në KiE.

Në mes të takimeve kyçe që delegacioni ka marrë pjesë ishte diskutimi në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë, ku bëhet e ditur se Konjufca ka prezantuar rastin e Kosovës për anëtarësim.

Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme që afirmojnë të arriturat e Kosovës në vitet e fundit dhe adresojnë rekomandimet nga raporti i juristëve eminentë”, thuhet në njoftim.

Gjatë diskutimit të tij, Konjufca është përgjigjur në pyetjet e adresuara dhe bashkëbisedoi me anëtarët e komitetit në lidhje me procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Duke shprehur mirënjohje për këtë mundësi si dhe ndaj PACE, përfshirë Komitetin dhe Sekretariatin për veprimet e menjëhershme në emërimin e juristëve dhe raportuesve të shquar, Konjufca vlerësoi se Raporti i tyre objektiv dhe i përgatitur me shpejtësi, ka ofruar perspektiva të vlefshme.

“Falënderoj veçanërisht të tre raportuesit, përfshirë zonjën Bakoyannis, për organizimin e vizitave në Kosovë në kohë të duhur. Në këtë fazë, besojmë se PACE ka siguruar një vizion të qartë për Kosovën. Siç tregon raporti i juristëve të shquar, ‘rregullat ligjore janë në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare, ose, siç është rasti me Kushtetutën, shkojnë përtej këtyre standardeve’. Aplikimi ynë për anëtarësim daton që nga viti 2022.

Kosova ka punuar për 16 vjet me instrumentet kyçe të Këshillit të Evropës dhe është tashmë anëtare e plotë e Komisionit të Venedikut dhe Bankës për Zhvillimin e Këshillit të Evropës”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se që nga viti 2008 Kosova ka dhënë një rang kushtetues dhe ka zbatuar drejtpërdrejt Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën Kornizë për Minoritetet dhe, që nga viti 2020, edhe Konventën e Stambollit.

“Ne vazhdojmë të mbajmë përkushtimin për të mbrojtur standardet ndërkombëtare dhe për të promovuar të drejtat e njeriut. Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës është shënuar nga përkushtimi dhe përparimi. Vlerësoj mbështetjen dhe njohjen e vazhdueshme nga bashkësia evropiane”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Në kuadër të qëndrimit në Strasburg delegacioni u takua me personalitete të rëndësishme nga grupe të ndryshme politike, duke përfshirë Béatrice Fresko-Rolfo, Raportuesen për Kosovën në Komitetin për Barazi dhe Mosdiskriminim, delegacionin kombëtar të Francës, Kryetarin e Grupit ALDE, Lulian Bulai, si dhe deputetë e përfaqësues të përhershëm të vendeve anëtare.

Kryetari Konjufca, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit do të realizojnë takime të tjera të rëndësishme. /Telegrafi/

Exit mobile version