Delegacioni i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka vazhduar takimet zyrtare në Senatin Amerikan dhe në Departamentin e Shtetit.
Zëvendësministri për FSK, Burim Ramadani, dhe Komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtënant Rrahman Rama, janë pritur në Washington D.C në takime të ndara nga Senatori Gary Peters, si dhe nga Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Mathew Palmer.
Në takimin me Senatorin nga Michingan, Gary Peters, u diskutua për angazhimet e përbashkëta Kosovë – SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Gjithashtu u diskutua për aftësimin e Kosovës në përballjen me sfidat rajonale dhe globale.
Ndërsa, në takimin me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Mattew Palmer, u diskutua mbi procesin e tranzicionit të FSK-së, planin afatgjatë të zhvillimit dhe përpjekjet e Kosovës në marrëdhëniet rajonale dhe euro-atlantike.
Në të dy takimet e ndara, Peters dhe Palmer theksuan mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën, si nga Senati, po ashtu edhe nga Qeveria amerikane. /Telegrafi/