Nesër një delegacion francezo-gjerman do ta vizitojë Kosovën, ku do të takohet me krerë shtetërorë dhe udhëheqësit e Ekipit negociator me Serbinë.
Ky delegacion në përbërje ka vetëm zyrtarë përgjegjës për rajonin tonë në ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë, të cilët si duket po vijnë në Kosovë për të diskutuar me krerët shtetërorë për Samitin e Parisit.
Delegacioni francez mësohet se përbëhet nga Alexandre Adam, zëvendëskëshilltar në kuadër të Presidencës së Francës, Thomas Bertin, Shef i Misionit për Ballkan në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Francës, si dhe nga ambasadori Didier Chabert dhe Carole Blestel-Feffer.
Kurse, delegacioni gjerman përbëhet nga Matthias Lüttenberg, Shef i Divizionit për Marrëdhënie Bilaterale për Lindjen e Mesme dhe Evropën Jugore, nga Christian Hellbach, i cili është i Dërguar Special për Evropën Juglindore dhe Turqinë pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, si dhe nga ambasadori gjerman Christian Heldt.
Delegacioni francezo-gjermanë së pari do të takohen me presidentin Thaçi.
Ky takim mësohet se do të ndodhë në mëngjes dhe do të jetë takimi i parë i tyre, duke vazhduar më pas me kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj dhe ekipin për dialog.
Nuk dihet nëse delegacioni francezo-gjermanë do të takohen edhe me liderët opozitarë.
Për dallim nga Samiti i Berlinit, i cili për shkak të organizimit të shpejtë nuk dha rezultate, përveçse nxori edhe një takim të dytë në Paris, si duket këtë radhë Franca dhe Gjermania po mundohen të marrin garanca nga krerët shtetërorë se do të lëvizet përpara drejt zhbllokimit të dialogut në Samitin e Parisit dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi/