Me ftesë të partneritetit demokratik të Dhomës përfaqësuese të SHBA-së (HDP), kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë punë në Washington.
Në delegacionin parlamentar janë edhe nënkryetarja e Kuvendit Frosina Tashevska-Remenski dhe koordinatori i grupit të deputetëve të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski.
Siç njoftojnë nga Kuvendi, Forumi dyditor parlamentar për lidership është i përqëndruar në përtëritjen demokratike për luftë kundër kërcënimeve të përbashkëta për demokracinë. Po ashtu, në kuadër të forumit, kryetari i Kuvendit Xhaferi dhe deputetët do të realizojnë takime bilaterale me kolegët nga Kongresi dhe Qeveria e SHBA-së.
Programi i HDP-së organizohet nga Instituti demokratik kombëtar (NDI) , me përkrahje nga Agjencia për zhvillim ndërkombëtar të SHBA-së (USAID) dhe në partneritet me Institutin republikan ndërkombëtar (IRI).
Në këtë program të nivelit të lartë, krahas Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë ftuar të marrin pjesë edhe njëzet parlamente partnere të HDP-së./Telegrafi/