Site icon Telegrafi

Ambasadori Delawie – dje shumë i lumtur, sot shumë i zhgënjyer

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, thotë se është thellësisht i zhgënjyer me atë që ka ndodhur sot në Parlamentin e Kosovës.

“Jam këtu në Prizren për të përcjellë Dokufestin, dhe për të folur për korrupsionin, si njëra ndër temat e mia të preferuara. Dua t’ju them disa çështje të tjera. Java ka filluar shkëlqyeshëm me Majlinda Kelmendin, në anën tjetër është vetëm e marte dhe e ka sjellë një zhgënjim të madh për mua. Jam i zhgënjyer se një anëtar i Kuvendit ka përdor dhunën për të përfituar politikisht. Duhet të them se debati i javës së kaluar mbi demarkacionin ka qene ajo se si do të dukej demokracia, dhe kanë debatuar fer. Demokracia nuk duket me gazin lotsjellës,” është shprehur Delawie, shkruan GazetaTribuna.

Sipas tij, dhuna politike e shkatërron demokracinë kosovare dhe është refuzim i vlerave evropiane për ato çka lufton populli i Kosovës.

Këto komente ai i ka bërë pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës gjatë shqyrtimit të Marrëveshjes për Përcaktimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, në njërin prej Komisioneve Parlamentare, për t’i proceduar më pas Kryesisë se Kuvendit Projektligjin e kësaj marrëveshjeje.

Driton Çaushi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje pak para se të votohet Projektligji nga komisioni për procedim në Kryesinë e Kuvendit për procedura të mëtutjeshme, ka hedhur gazin lotsjellës në sallë ku po mbahej mbledhja. Ai më pas, për këtë veprim është shoqëruar në polici.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës, Çaushi është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndonëse një gjë të tillë e kishin kundërshtuar deputetët e tjerë të kësaj Lëvizje, të cilët po merrnin pjesë në mbledhjen e Komisionit.

Delawie ka folur edhe për mjetin shpërthyes të gjetur në shtëpinë e ish-kryetarit të Komisionit për përcaktimin e këtij kufiri, Murat Mehës.

Sipas ambasadorit amerikan, dhuna e përdorur si mjet për të arritur qëllimet politike duhet të ndërpritet.

“Edhe më keq kemi dëgjuar se një lëndë shpërthyese është gjetur tek një zyrtari kosovar. Frikësohem nëse Kosova e pranon dhunën si mjet për të arritur qëllimet politike. Kemi parë kësi storie në Ballkan shumë herë dhe asnjëra nuk ka përfunduar mirë dhe nuk i la sjellë të mira askujt. Kjo duhet të ndërpritet”, përfundoi Delawie.

Krerët më të larte shtetërorë thonë se Hedhja e mjetit shpërthyes në familjen e Murat Mehës përbën një akt të dënueshëm dhe njëherit një paralajmërim shqetësues të tendencave që synojnë të nëpërkëmbin shtetin ligjor në Kosovë.

Vetë, Murat Meha e ka dënuar sulmin që është bërë dhe ka thënë se çdo punë e bërë për demarkacionin me Malin e Zi, është e argumentuar dhe dokumentar.

“Dua të them se puna profesionale bëhet në mënyrë të argumentuar dhe me dokumentacion që askush s’mund ta asgjësojë dhe të krijojë alibi se kufiri duhet të jetë diku tjetër”, ka thënë Meha.

Ne shoqërinë civile thonë se rikthimi i veprimeve jo parlamentare, siç është hedhja e gazit lotsjellës, për të ndërprerë punën e komisionit parlamentar, në këtë rast Komisioni për Punë të Jashtme, është cenim i demokracisë dhe jetës parlamentare.

Gjatë ditës Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës sot është sulmuar po ashtu me gurë nga disa persona të panjohur.

Megjithatë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se PK, është në kërkim të personi i cili ka sulmuar ndërtesën e Qeverisë. /Gazeta Tribuna/

Lexo po ashtu Momenti i hedhjes së gazit lotsjellës nga Vetëvendosje (Video)

 

Exit mobile version