Site icon Telegrafi

Delawie: Votuesit do të përcaktojnë rrugën e Kosovës

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Gregory Dealwie ka deklaruar se kjo javë është e rëndësishme për Kosovën, sepse votuesit do të jenë ata që do të përcaktojnë rrugën e saj drejt prosperitetit.

Ambasadori Delawie i bëri këto komente në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike, ku ka theksuar se të gjithë pajtohen për një destinacion të vetëm, të shohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur, në paqe me shtetet fqinje dhe të integruar tërësisht në komunitetin evropian dhe global.

Delawie theksoi tri prioritetet e tij kryesore si ambasador i SHBA-së në Kosovë sundimi i ligjit, siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik, si dhe përparimin që secila prej tyre ka shënuar.

“Kalimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ishte një hap i madh për të luftuar korrupsionin, ne kemi parë një rritje të numrit të arrestimeve për shkelje dhe keqpërdorim të detyrës. Luftimi i ekstremizmit ka qenë i suksesshëm dhe në fund, ne kemi mbështetur zhvillimin e bizneseve të vogla dhe kemi promovuar mundësitë për eksport”, tha ambasadori Delawie.

Sidoqoftë, sipas Delawie, korrupsioni dhe niveli i papunësisë ende dominon në Kosovë. Ai tha se bizneset mund të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes në Kosovë.

“Çështjet të cilat u ngritën nga anëtarët e Odës Amerikane ishin kryesisht të ndërlidhura me sundimin e ligjit, korrupsionin, gjendjen politike jostabile, mungesën e fuqisë së kualifikuar të punës dhe nevojën për një gjykatë komerciale, çështje të cilat sipas tyre, vazhdojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë. Gjatë pjesës së diskutimit, anëtarët patën mundësi po ashtu të marrin përgjigje dhe sugjerime nga Ambasadori rreth pyetjeve dhe çështjeve të tyre”, thuhet në një komunikatë të OAK-ut.

Exit mobile version