Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë sa më parë Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Reagimi i ambasadorit Delawie ka ardhur disa ditë pasi deputetët kosovarë nuk qëndruan në numër të mjaftueshëm në seancë, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për ta votuar këtë projektligj, i cili ndodhej në lexim të dytë.
Kjo ka nxitur reagimin e ambasadorit amerikan i cili përmes një postimi në Twitter ka thënë se përkrah projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, sepse i njëjti “pamundëson kriminelët me lidhje politike që t’i ikin dënimit”, ka shkruar Delawie.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Dhuarata Hoxha prezantoi ndryshimet ligjore si nevojë për rritjen e efikasitetit dhe zbatimit të ligjit përmes largimit të ndikimit të ekzekutivit në gjyqësor me heqjen e së drejtës që ministri si i emëruar politik të lejoj pezullimin e ekzekutimit të dënimit./Telegrafi/