Site icon Telegrafi

Delawie: Kosova dhe Serbia s’kanë alternativë tjetër përveç bisedimeve

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka sjellë përfitime për Kosovën.

Delawie këto komente i bëri në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga RIDEA dhe mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë.

“Kohëve të fundit një dëshmi e tillë është mbledhja e të hyrave doganore në veri, kemi pasur përfitime të dukshme gjatë viteve të fundit dhe kjo mund të vazhdojë edhe më shumë” , tha ai.

Sipas tij, nuk ka alternativë  tjetër përveç bisedimeve, negociatave si dhe kompromisit.

“Më vjen mirë që pashë lajmërimin e mbrëmshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mendoj se ky është një hap i rëndësishëm nga ana kosovare për përmbushjen e të gjitha obligimeve të marra. Një faktor tjetër që është shprehur kohëve të fundit ka të bëjë me Strategjinë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, e që kanë dhënë me të vërtetë stimulim si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë,  për të shkuar drejtë normalizimit që kemi folur për vite”, tha ai.

Delawie tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e Kosovës dhe të Serbisë për t’ju bashkuar  Evropës.

“Mbështesim aspiratat e tyre dhe mendoj që viti 2018 është viti kur këto dy vende duhet  të bëjnë përparim në dialog për aspiratat e tyre”, tha Delawie.

Exit mobile version