Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, kanë siguruar serbët e veriut të Kosovës se Asociacioni i Komunave Serbe (ASK) do të bëhet sivjet.
Duke marrë pjesë në emisionin “Sporazum”, një projekt i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, ndërsa realizohet nga OJQ-ja “Aktiv” dhe “Rrjeti i TV-ve të pavarura”, Delawie dhe O’Connell kanë tërhequr vërejtjen se Asociacioni i Komunave Serbe, do të jetë e rëndësishme për integrimin e shëndetësisë dhe të arsimit në sistemin kosovar, si dhe do të jetë i rëndësishëm për forcimin e sovranitetit të Kosovës.
“Asociacioni do të formohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe do ta forcojë sovranitetin e Kosovës. Formimi i tij është i rëndësishëm sepse njerëzve do t’ua japë ndjenjën e përkatësisë se janë qytetarë të Kosovës. Në hartimin e Statutit duhet të punohet tani dhe për këtë arsye është e rëndësishme që përfaqësuesit serbë të kthehen në institucionet kosovare”, kanë thënë ata.
Ambasadori amerikan në Kosovë ka shtuar se është në kontakt të përhershëm me Qeverinë e Kosovës dhe me përfaqësuesit e serbëve, si dhe me qeveritë e tjera në lidhje me ASK-në.
“Asociacioni është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e pakicave në Kosovë. Do të ishte shumë i rëndësishëm, për shembull, integrimi i çështjes së arsimit dhe i shëndetësisë nën ombrellën e institucioneve kosovare, në mënyrë që të garantohen qytetarët për të gjitha shërbimet esenciale në gjuhen e vet. Qëllimi është që ASK-ja të jetë institucion për interesa të përbashkëta në arsim, në mbrojtje shëndetësore dhe në përdorim të gjuhës serbe. Është me rëndësi të them se Asociacioni formohet me ligjet kosovare, me Kushtetutën e Kosovës dhe do ta forcojë sovranitetin e Kosovës. Fatkeqësisht ka tepër shumë retorikë në lidhje me Asociacionin, se ai është për qytetarët e shtetit tjetër. Nuk është, ai është për qytetarët e Kosovës. Do t’ua bëjë jetën e tyre më të mirë dhe do t’ua lehtësojë funksionimin në Kosovë. Mendoj se bojkotimi i Qeverisë nuk u ndihmon qytetarëve të Kosovës. Nëse përfaqësuesit e serbëve nuk punojnë për ta në Prishtinë, atëherë është vështirë që jeta e tyre të përmirësohet”, ka përsëritur Delawie.
Ndërkaq ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ka siguruar serbët se Qeveria e Kosovës është e gatshme për formimin e BKS-së.
“Mendoj se AKS-ja do t’u ndihmojë psikologjikisht njerëzve në aspektin e statusit të tyre në Kosovë. Të tjerat, shëndetësia, arsimi dhe përdorimi i gjuhës serbe, ato janë të drejta njerëzore dhe për to as që duhet të bisedohet. Serbët kanë të drejtat e tyre në to. Nëse të drejtat e tyre nuk janë realizuar, atëherë ata duhet të ankohen. Gjuha serbe është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe kjo është. Nuk duhet fare diskutuar për këtë”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Në një pyetje se a mund të ndikojnë në formimin e Asociacionit diplomatët e huaj në Prishtinë, ambasadori britanik është përgjigjur se atë duhet ta bëjnë përfaqësuesit e serbëve në institucionet kosovare.
“I njoh të gjithë, më pëlqejnë, kam kaluar shumë kohë me ta, por seriozisht mendoj se ata duhet të jenë në institucione dhe duhet ta bëjnë punën e tyre. Dikush nga ata edhe dëshiron të punojë, por kështu nuk mund të ndikojnë. Diplomatët përpiqen të ndikojnë në këto çështje, por përfaqësuesit e zgjedhur, të cilët i përgjigjen popullit, janë ata që duhet të ndikojnë e për ta bërë këtë duhet të jenë në institucione. Nëse janë jashtë institucioneve nuk mund të bëjnë asgjë”, ka konkluduar ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell. /Zëri/